Lajme

Pupovci: Mësim online të hënën, për shkollat që shfrytëzohen si qendra votimi


Zëvendësministri i Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci

Zëvendësministri i Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci ka treguar se me 18 tetor në ato shkolla që shfrytëzohen si qendra të votimit për Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit mësimi do të mbahet online, ndërsa në shkollat e tjera mësimi do të mbahet në mënyrë fizike.

“Me datën 18 tetor, është vendosur që në këto shkolla që janë qendra votimi të punohet me skenarin C pra me mësim në distancë”, ka thënë Pupovci.

Sipas tij, nga 779 shkolla fillore dhe të mesme 539 punojnë me skenarin e rikthimit të plotë dhe me prezencë fizike, me skenarin A punojnë 228 shkolla, kurse në 13 shkolla në Kosovë kemi që punojnë me skenarin B për shkak të numrit të madh të nxënësve.

Ndërsa ka shtuar se janë duke u regjistruar në vazhdimisht nxënës në platformën shkolla.org.

Pupovci gjatë një konferencë për media ka folur edhe rreth mungesës së teksteve shkollore duke shtuar se “sipas udhëzimit administrativ, tekstet shkollore në shkolla, duhet të ripërdoren dhe ia shpërndajnë gjeneratës vijuese. Është kërkuar në mënyrë të qartë që shkollat t’i mbledhin tekstet për klasën 6,7,8,9 dhe DKA-të kërkesat i kanë hartuar përmes kësaj kërkese”.

Ai më tej ka treguar se gjatë vizitave të komisionit kanë gjetur se shpërndarja është bërë në bazë të kërkesës por nga “disa drejtori nuk janë bërë kërkesat e sakta në raport me numrin e nxënësve”.

Ndërsa kostoja e teksteve të reja është diku mbi 8 milionë euro.

Pupovci në fund ka shtuar se nga17 mijë mësimdhënës vetëm 4 raste kanë rezultuar me COVID-19.

“Shkalla e vaksinimit te mësimdhënësit është 94% e ku prej tyre 81% kanë marr të dyja dozat e vaksinës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore