Shqipëria

Puna në ndërtim më pak e sigurta, 32 fatalitete në vendin e punës


Gjatë vitit 2022 në Shqipëri, kanë humbur jetën në vendin e punës 32 punonjës, nga 184 aksidente që janë regjistruar në total.

Kështu bëjnë të ditur shifrat e Inspektoratit të Punës.

Mungesa e sigurisë në vendin e punës, është një problem i pazgjidhur prej dekadash.

Kjo, pasi shumica e punonjësve në sektorë problematikë të ekonomisë, si: ndërtimi, miniera apo industria përpunuese, nuk punojnë me kontrata të rregullta.

Sipas Inspektoratit të Punës, këto janë edhe tre nga sektorët që kanë numrin më të madh të fataliteteve.

Puna në ndërtim rezulton më pak e sigurta dhe që ka marrë më shumë jetë punonjësish.

Raporti vëren se nga puna në ndërtim humbën jetën 10 punonjës në vitin 2022, katër më shumë nga gjashtë fatkeqësi që u regjistruan në vitin 2021.

Sektori i minierave dhe industrisë përpunuese pasojnë renditjen e fataliteteve në vendin e punës me nga pesë vdekje gjatë vitit të kaluar, përsëri në rritje krahasuar me vitin 2021.

Më pas kemi një humbje jete në sektorin e energjisë, gazit dhe ujit, dhe 11 viktima kanë ndërruar jetë në sektorë të tjerë të ekonomisë të paspecifikuar në raportin e inspektoratit.

40 për qind e masave ndëshkuese në vitin 2021 nga Inspektorati i Punës ishin “Pezullim” për shkelje flagrante të marrëdhënieve të punës dhe sigurisë në punë.

Në vitin 2022 kjo masë është vendosur vetëm për 8 për qind të subjekteve të ndëshkuara.

Në total, janë vetëm 12 kompani të ndëshkuara me pezullim të aktivitetit, edhe pse numri i fataliteteve është 32.

Ndërsa inspektoriati ka dhënë 95 paralajmërime e janë vënë 48 gjoba me një vlerë prej 10.5 milionë lekë.

Çdo ditë, 6 mijë e 300 njerëz vdesin si pasojë e aksidenteve në punë ose sëmundjeve të lidhura me punën, më shumë se 2.3 milionë vdekje në vit.

317 milionë aksidente ndodhin në punë çdo vit; shumë prej tyre rezultojnë në mungesa të gjata nga puna.

Kostoja njerëzore e kësaj fatkeqësie të përditshme është e madhe dhe barra ekonomike e praktikave të dobëta të sigurisë dhe shëndetit në punë vlerësohet në 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto global çdo vit.

Dita Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë është një fushatë vjetore ndërkombëtare për promovimin e punës së sigurt, të shëndetshme dhe të denjë.

Ajo mbahet më 28 prill dhe është vëzhguar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) që nga viti 2003.

Një kulturë kombëtare e sigurisë dhe shëndetit në punë është ajo në të cilën e drejta për një mjedis pune të sigurt dhe të shëndetshëm respektohet në të gjitha nivelet, ku qeveritë, punëdhënësit dhe punëtorët marrin pjesë në mënyrë aktive në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të shëndetshëm pune përmes një sistemi të të drejtave, përgjegjësive të përcaktuara dhe detyrat, dhe ku prioriteti më i lartë i jepet parimit të parandalimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore