Lajme

Publikohet video e plotë e arrestimit të Faik Fazliut


Pas arrestimit e më pas lirimit të bujshëm të njërit nga anëtarët e Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, Faik Fazliut, është publikuar video e plotë e këtij momenti.

Mbrëmjen e së shtunës rreth orës 11:40, në rrugën Tranziti i ri, në Prizren, Policia e Kosovës ka arrestuar Fazliun, pasi sipas policisë, kishte kanosur një zyrtarë policor deri sa ata bashkë me Agjencinë e Ushtimit dhe Veterinës po mbyllnin një kafiteri, për mos respektim të masave anti COVID.

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faik Fazliu, në versionin e tij të rrëfimit, thotë se nuk e di se si erdhi deri tek arrestimi.

“Faktikisht as vetë nuk di me shpjegu sesi ka ardhur deri te arrestimi, sepse absolutisht unë as fjalën më të vogël e as rastin më të vogël nuk ia kam jap zyrtarit policor që të sillet në atë mënyrë me mua”.

Fazliu mohon të ketë kanosur zyrtarin policor, madje ai thotë se “as nuk e ka shikuar”.

Ai shprehet i habitur se pse u arrestua. Gjithashtu thotë se është kërcënuar tri herë nga eprori i Policisë në Prizren me fjalët “çka hamomi po lyp në Prizren”, teksa ndodhej në stacionin policor.

“Kështu që e di se ai në mënyrë tendencioze është sjellë në atë mënyrë me mua, këtë e di. Këtë ja kam shpjeguar edhe hetuesve edhe sigurisht e dinë sepse i kanë parë edhe video-incizimet, edhe prokuroria e ka pa që unë absolutisht s’kam pas të bëjë as me ndonjë kanosje as asgjë të tillë ndaj zyrtarit policor”, ka deklaruar Faik Fazliu.

Ndryshe, sipas njoftimit të Policisë, Fazliu ishte arrestuar pasi kishte kanosur një zyrtar policor i cili ndodhej në detyrë zyrtare duke asistuar inspektorët e AUV-it në një kafeteri, lidhur me mosrespektimin e masave antiCovid19, por këtë e mohon ish-kreu i OVL UÇK-së.

“E mohoj”,

“Nuk është e vërtetë, janë incizimet dhe shihet shumë mirë në incizime, as që e kam shikuar në mënyrë jo të mirë e lëre më ta kanos policin. Aty ka dëshmitarë dhe janë me dhjetëra dëshmitarë që mund ta dëshmojnë këtë”, shtoi ai.

Menjëherë pas këtij arrestimi kishte reaguar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, i cili ka thënë se “ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyhen e sulmohen gjatë ushtrimit të detyrës” nga siç i ka quajtur ai “të fortët”.

“Përgjigje e shpejtë dhe komfor ligjit për të gjithë personat që tentojnë “t’i kryejnë punët privatisht me policët tanë”. Stop sjelljeve banditeske. Askush mbi ligjin”, kishte shkruar Sveçla.

Këtij reagimi i ishte përgjigjur vetë Fazliu duke e quajtur “rrugaç dhe legen” Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pasi ky i fundit u doli në mbrojtje policëve që e arrestuan Fazliun.

Pas kësaj situate ka reaguar kandidati për Kryetar të Komunës së Prishtinës nga AAK, Daut Haradinaj.

“Faik Fazliu është pa gjymtyrë, duhet pasur kujdes sepse ai njeri ka humbur gjymtyrë në luftë, duhet respektuar këtë kategori që ka dhënë gjithçka për këtë vend. UÇK-në nuk mund ta dëmtoj askush, e mbron sakrifica që kanë bërë të gjithë dhe s’mund ta njollosë askush luftën tonë”, ka thënë Haradinaj në Kanal10.

“Nuk është detyrë e ministrit të japë këto lloj cilësime. Nuk i bën nder as ministrit një qëndrim i tillë. Në rast se ju i paragjykoni njerëzit, ju nuk jeni ministër i Kosovës por vetëm i partisë̈ suaj”.

“Kanë çu dorë ndaj një njeriu pa një këmbë”, ishte reagimi edhe i Kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili reagoi pas këtij incidenti në mes të anatarit të kryesisë së OVL UÇK-së, Faik Fazliut dhe disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

“As se ka sha as se ka shty. Unë e gjykoj sepse unë kam respekt për Policinë e Kosovës”, ka thënë Lladrovci.

Ndër të tjera në reagimin e tij, Lladrovci ka shtuar se policët e korruptuar që dikur ishin të afërt me PDK, LDK e AAK, tash janë bërë me VV-në.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore