Lajme

Publikimi i radhës nga Albanian Post – një dokument me detaje kritike për dialogun


Foto nga Albanian Post

Prejse qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti merr pjesë në dialog ka një mbyllje totale dhe mos-transparencë të madhe në raport me zhvillimet në Bruksel.

Analizat në studio televizive bëhen kryesisht me hamendësime se çfarë ka mundur të ndodhë, në mungesë të informacioneve nga atje.

Qeveria e Kosovës nuk mban konferencë për media, qeveria nuk raporton në Parlament dhe kryeministri nuk merr pjesë as në emisione televizive për të shuar kureshtjen për çështjen më të rëndësishme të Kosovës në politikën e jashtme.

Gjendur në këtë terr informativ, Albanian Post me 18 shtator ka publikuar dokumentin e titulluar “korniza e re”, një propozim i Francës dhe Gjermanisë për zgjidhjen finale dhe normalizim raportesh mes dy shteteve, e cila parashihte që vitin e ardhshëm të arrihet një njohje de facto e Kosovës nga Serbia dhe në hark kohor prej 10 vjetësh të vije edhe njohja de jure bashkë edhe me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në Serbi, Aleksandër Vuçiç e pranoi se e ka parë një dokument të tillë, derisa në Kosovë qeveria në stilin e zakonshëm refuzoi të komentojë.

Ky refuzim krijojë hapësirën e mjaftueshme të një pjese të mediave pro pushtetit e disa të tjera për shkak të jo profesionalitetit ta konsiderojnë dokumentin si një shpikje.

Albanian Post kishte bërë të qartë se ky është një propozim në formë të një non paper që nuk mban vulë zyrtare të asnjë shteti, por që në Prishtinë e Beograd u soll nga këshilltarët politik të Emmanuel Macron e Olaf Shcolz.

Përkundër kësaj, në ndjekje të sensacioneve, disa media bënë përpjekje amatore për të siguruar konfirmime zyrtare nga qeveritë e Gjermanisë e Francës, për një dokument që veçse u tha se vinte në formë të një propozimi jo zyrtar.

Gjithsesi, diçka më pak se një muaj nga publikimi i Albanian Post, qeveria e Kosovës tashmë e ka pranuar se ekziston propozimi franko-gjerman.

Fillimisht atë e konfirmoi Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e më pas edhe vetë kryeministri Albin Kurti, i cili e pranoi ekzistencën e propozimit, por u arsyetua se s’mund të thotë gjithçka në publik meqë akoma “nuk është ngurtësuar” mjaftueshëm.

“Pra duhet diçka të ngurtësohet që të publikohet, përderisa është në gjendje të lëngshme nuk është korrekte nga ana ime që ta publikoj, pas ngurtësimit vjen publikimi”, tha Kurti.

Por, Albanian Post e publikoi “të lëngshme”, si nevojë e domosdoshme për të informuar publikun me çfarë po ndodhë në takimet e mbyllura mes Kurtit e Vuçiç-it, por edhe Kurtit e ndërkombëtarëve.

Gjithsesi, rrjedhja e dokumentit nga Albanian Post por, më e rëndësishmja, insistimi që çështja të ngel aktuale, përkundër demanteve idioteske, ka krijuar një realitet të ri.

Tani flitet haptas për nevojën që BE të jetë unike, pra që pesë shtetet duhet ta njohin Kosovën. Madje edhe Serbia e pranon që pak gjëra janë në dorën e saj.

Publikimi i radhës

Brenda disa ditësh, Albanian Post, sërish do të publikojë edhe një dokument tjetër, i cili përmban detaje kritike për dialogun.

Sërish, publikimi bëhet në funksion të informimit dhe krijimit transparencë në një proces që s’ka parë mbyllje të tillë prejse ka filluar dialogu në Bruksel para 11 vjetësh.

Shpresa është se kësaj here fokusi do të jetë më i qartë dhe gazetarët e analistët më shumë të merren me substancën e dokumentit, sesa me publikuesin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore