Sport

PSG-ja përgatit gjashtë largime në merkaton e dimrit


Klubi parizien i PSG-së po përgatet të largojë deri në gjashtë lojtarë nga skuadra e parë. Sipas francezes “Foot Mercato”, klubi nga kryeqyteti ka mbingarkesë lojtarësh.

PSG-ja ka shumë lojtarë në organikën e saj. Në disa role skuadra ka deri në tre lojtarë. Ndaj dhe po bëhen përpjekje për largimin e disa lojtarëve, që kanë bindur më pak krerët dhe trajnerin, Mauricio Pochettino-n.

Në mbrojtje, me rikthimin e Sergio Ramos-it, pritet që Thilo Kehrer-i dhe Abdou Diallo të largohen.  E njëjta gjë vlen edhe për francezin Layvin Kurzawa-n. Nuno Mendes-i dhe Julian Bernat-i janë zgjedhjet para tij.

Në mesfushë do të sakrifikohen dy lojtarë. Njëri është argjentinasi, Leandro Paredes dhe tjeteri është braziliani, Rafinha.

Edhe në sulm priten largime. Mauro Icardi nuk po gjen hapësira dhe as nuk po bind. Largimi i argjentinasit ka qenë i lakuar prej kohësh. Megjithatë ofertat për të nuk mungojnë, si nga Premier League, ashtu dhe nga Serie A.

Çështje për t’u zgjidhur janë edhe ato të Kylian Mbappe-s dhe Xavi Simons-it. Të dy nuk kanë rinovuar. I pari kërkon largimin në drejtim të Real Madrid-it.

Holandezi në krahun tjetër, kërkon vetëm t’i mundesohen më shumë minuta me ekipin e parë. Nese nuk i jepet garanci, ai atëherë do të rikthehet te Barcelona në fund të sezonit, si transferim i lirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore