Sport

PSG dhe Tottenham pritet t’i “shkëmbejnë” trajnerët


Trajneri i Paris Saint Germain, Mauricio Pochettino, pritet të largohet nga klubi francez në fund të këtij sezoni.

Edhe Pochettino dështoi të fitonte Ligën e Kampionëve me parisienët, titull ky që është i ëndërruar nga drejtuesit e Parisit, andaj me shumë gjasë në fund të sezonit ai do të largohet nga Franca.

Gjasat janë për t’u rikthyer në Angli, aty ku më herët drejtoi Tottenham-in përgjatë më shumë se pesë vite.

Sipas raportimeve të fundit në Francë, parisienët po synojnë të afrojnë Antonio Conte-n, i cili aktualisht është nën kontratë me Tottenham-in deri më 30 qershor të vitit 2023.

Pra, një kalim i mundshëm i italianit në Paris do të hapte rrugët për rikthimin e Pochettino-s në Premier League, pikërisht te skuadra që tashmë drejtohet nga Conte.

Presidenti i “Spurs”, Daniel Levy raportohet nga mediat britanike se po bisedon ‘pandërprerë’ me Mauricio Pochettino-n, pasi lajmet e fundit thonë se ish-trajneri i Spurs do të shkarkohet nga Paris Saint-Germain.

Kjo do të nënkuptonte një formë “shkëmbimi” të trajnerëve mes PSG-së dhe Tottenham-it, por vlen të theksohet se deri më tani nga asnjë prej klubeve në fjalë nuk ka reagime zyrtare në lidhje me këto lajme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore