Lajme

Pse tërmetet në Turqi dhe Siri janë kaq vdekjeprurës?


Në pjesë të Turqisë dhe Sirisë, tërmetet e fuqishme kanë bërë që ndërtesat shumëkatëshe të shemben në tokë, duke lënë më shumë se dy mijë të vrarë teksa vazhdojnë operacionet e shpëtimit.

Lëkundja fillestare me magnitudë 7.8, e cila u pasua nga një tërmet me magnitudë 7.6 orë më vonë, kishte të njëjtën magnitudë si tërmeti që vrau rreth 30 mijë njerëz në vitin 1939 në Turqinë verilindore.

Një tërmet me magnitudë 7.4 goditi qytetin perëndimor të Izmit në vitin 1999, ku më shumë se 17 mijë njerëz ndërruan jetë.

Referuar ekspertëve, janë disa faktorë që e kanë komplikuar ngjarjen sizmike.

“Një nga arsyet pse numri i viktimave ka qenë kaq i lartë është cilësia e dobët e ndërtesave”, ka thënë profesori Mustafa Erdik.

Migrimi masiv dhe i shpejtë gjatë viteve 1950 çoi në një zhvillim urban të mbikëqyrur dobët, duke i bërë qytetet “kritikisht të prekshme” ndaj rreziqeve natyrore.

Pas tërmetit të vitit 1999, institucionet e Turqisë njohën një nevojë urgjente për të reduktuar rreziqet në një vend të prirur ndaj tërmeteve dhe vitin e ardhshëm, legjislacioni u miratua për të zbatuar kontrollet e detyrueshme të projektimit dhe inspektimet e ndërtimit në të gjitha ndërtesat.

Ndërtesat e ndërtuara sipas kodeve të projektimit rezistente ndaj tërmeteve, megjithatë, janë ende në pakicë.

“Ato që janë shembur datojnë para vitit 2000”, ka treguar Erdik.

Gati 2 mijë e 900 ndërtesa në të gjithë Turqinë juglindore ishin shembur deri në orën 17:00, sipas agjencisë së vendit për fatkeqësitë.

Dhe të paktën dy spitale, një në Hatay dhe një në Iskenderun, ishin mes tyre.

Sakaq, përmasat e mëdha të shumë ndërtesave shumëkatëshe po i ndërlikonin përpjekjet e shpëtimit pasi ende po regjistroheshin pasgoditje të forta.

Një tjetër arsye për shifrat e larta të viktimave është koha e goditjes së tërmetit të parë. Ai goditi teksa njerëzit flinin në orën 4:17 të mëngjesit, duke i bllokuar nën rrënoja.

Autoritetet turke matën një tjetër tërmet me magnitudë 7.6 në orën 13:24 katër kilometra në jug-juglindje të qytetit Ekinozu në Kahramanmaras, ku tërmeti me magnitudë 7.8 goditi disa orë më parë.

Pamjet e drejtpërdrejta të mediave lokale treguan më shumë ndërtesa që shemben në qytetin e Malatya gjatë tërmetit të fundit masiv.

Ndërtesat moderne nuk ishin të vetmet të dëmtuara. Kalaja e Gaziantep-it, e cila daton që nga mbretëria hitite dhe u zgjerua nën Perandorinë Romake, është shembur pjesërisht.

Ndërkohë, qeveria turke ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme të nivelit 4, e cila përfshin thirrjen për ndihmë ndërkombëtare, si dhe mobilizimin e të gjitha forcave kombëtare.

Profesor Chris Elders ka thënë se thellësia e tërmetit fillestar në rreth 18 kilometra gjithashtu kontribuoi për ta bërë atë veçanërisht shkatërrues.

Në një thellësi të cekët, “energjia që lëshohet nga tërmeti do të ndihet mjaft afër sipërfaqes me intensitet shumë më të madh sesa nëse do të ishte më thellë në kore”.

Naci Gorur, një sizmolog në Akademinë e Shkencave të Turqisë, u ka drejtuar thirrje zyrtarëve lokalë që të kontrollojnë menjëherë digat e rajonit për të çara për të shmangur përmbytjet potencialisht katastrofike.

Nga ana tjetër, Sirisë i mungojnë burimet për t’iu përgjigjur emergjencës.

Në Sirinë fqinje, ndërtesat u raportuan se janë shembur në një zonë përgjatë kufirit turk që shtrihet nga Alepo dhe Hama në qytetin turk të Dijarbakir-it, më shumë se 330 kilometra në verilindje.

Organizatat humanitare kanë frikë se numri aktual i të vdekurve në Siri mund të rritet pasi ekipet e shpëtimit janë jashtëzakonisht të papajisura për t’iu përgjigjur urgjencës.

“Makinat janë të vjetra dhe nuk ka mjaftueshëm ekskavatorë për të ndihmuar”, ka thënë Mey Al Sayegh, zëdhënëse e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Tanya Evans, drejtoreshë për Sirinë për Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit, ka thënë se tërmeti ishte “një goditje tjetër shkatërruese për kaq shumë popullsi të cenueshme që tashmë po luftojnë pas vitesh konflikti”.

Raportet fillestare treguan se ndikimi ka qenë shkatërrues në zonat ku jetojnë një numër i madh familjesh të zhvendosura dhe të cenueshme, ashtu si vendi është goditur nga një stuhi dëbore dhe temperaturat kanë rënë.

“Ky tërmet vetëm do të rrisë sasinë dhe ashpërsinë e nevojave në terren”, ka theksuar Evans.

Marrë nga “Al Jazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore