Shqipëria

Pse Rama thotë se Durrësit i ka një borxh?


Kryeministri Edi Rama në konferencë për media, pranë selisë së Partisë Socialiste

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka dhënë përgjigje dykuptimëshe, kur është pyetur nga gazetarët në cilin qark të Shqipërisë do të kandidojë në Zgjedhjet Parlamentare të 25 prillit.

Në njërën anë ai ka qartësuar që kandidatura e tij do të jetë nga Vlora, ndërsa në anën tjetër ka përmendur edhe Durrësin, ku pritet të jetë garë e fortë zgjedhore.

“Është e sigurt që Vlorën unë nuk e lë dhe Durrësit i kam një borxh”, deklaroi kryeministri, në një konferëncë me gazetarë, pranë selisë së PS-së.

Nënvizimi që Edi Rama i bëri sot Durrësit, në raport me zgjedhjet e 25 prillit, nënkupton se aty pret garë të fortë zgjedhore, që rezulton e tillë edhe nga sondazhet e para të realizuara këtë vit.

Lidhur me listat zgjedhore dhe kompozimin e tyre, Rama ka nënvizuar se ato nuk janë përfunduar akoma dhe se përbërja e tyre do të jetë reflektim i strukturës së Partisë Socialiste.

“Lista përfundimtare do të jetë ajo që do të deklarohet kur të çohet për t’u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”.

“Në fund do të dalë lista e deputetëve, duke u bazuar edhe tek puna që secili bën edhe tani që flasim. Duke u bazuar edhe domosdoshmëria për të krijuar një skuadër, ku do të harmonizohet eksperienca e atyre që janë sot, me energjitë e reja të atyre që do të përfshihen në skuadrën e re. Kështu që, është e kotë të merremi me emra të veçantë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore