Lajme

Pse e bllokoi Kina OKB-në?


Kina ka bllokuar një deklaratë të përbashkët të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), mbi grushtin e shtetit që ndodhi në Myanmar të hënën e 1 shkurtit. Deklarata, e cila dënon marrjen e pushtetit me dhunë nga ushtria e Myanmarit, nuk mund të kalonte pa votën unanime të vendeve anëtare të përhershme.

Çfarë e shtyu Kinën të bllokonte këtë deklaratë?

“Kina po sinjalizon mbështetjen që ka për veprimet e gjeneralit Min Aung Hlaing”. Kështu mendon eksperti për çështjet e Myanmar-it pranë Universitetit të Singaporit, Elliot Prasse-Freeman. “Kina po e justifikon qëndrimin e saj, duke argumentuar se kjo është çështje e politikave të brendshme të Myanmar-it”.

“Pavarësisht faktit se qëndrimi i përbashkët i OKB-së nuk do të përbënte ndryshim të madh, Kina zgjodhi sërish këtë rrugë. Qasja e Pekinit mbi situatën është skeptike mbi ndërhyrjet ndërkombëtare që mund të kryhen”.

Kina, gjithsesi, mund të “përftojë në aspektin gjeopolitik, nga mënjanimi i Myanmar-it karshi botës perëndimore”, mendon Sebastian Strangio, ekspert i çështjeve së Azisë juglindore. “Kjo nuk do të thotë se Pekini zyrtar është i lumtur me ngjarjen. Përpara ndodhive, superfuqia aziatike po stabilizonte relatat me kancelaren Aung San Suu Kyi”.

“Rrëzimi i pushtetit, është domethënës edhe për Kinën, pasi tashmë duhet të rivendosë ura të reja kontakti”, shton ai. “Institucionet në Myanmar, kanë qenë gjithnjë dyshuese ndaj qëllimi të Pekinit zyrtar. Kjo do të thotë se, nuk do të ketë përftim të menjëhershëm nga pala kineze. Qëndrimi i tyre gjithsesi, mbetet i lëkundur”.

Grushti i shtetit në Myanmar

Ballinat e mediave botërore e nisën të hënën e 1 shkurtin me lajmin e grushtit të shtetit që ndodhi në vendin aziatik. Kancelarja Suu, sapo ishte ri konfirmuar në pushtet, me rreth 70% të karrigeve në dhomat parlamentare.

Rikthimi i Suu-së në politikë kishte qenë i vështirë, pas qëndrimit në arrest shtëpie për 15 vite. Rikthimi i saj në skenën vendase, në 2010-ën, shpalosi një rebelim të qytetarëve ndaj regjimit ushtarak. Në 2015-ën, ajo fitoi zgjedhjet e para të mbajtura në Myanmar në 25 vite.

Suu-ja dominoi skenën politike në pesë vitet e saj në pushtet. Çështja e gjenocidit dhe dëbimit të popullsisë Rohyinga nga Myanmar-i, u bë njollë në figurën e saj ikonike të demokracisë.

Qëndrimet ndaj ushtrisë gjithsesi, e cila mban 25% të pushtetit, pavarësisht rezultateve zgjedhore, kanë qenë shpesh të forta. Grushti i shtetit i ndodhur ishte i paralajmëruar. 1 shkurti, solli vetëm konkretizimin e tij. Suu Kyi ndodhet tashmë pas hekura, së bashku me pjesën më të madhe të kabinetit të saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore