Bota

Aung San Suu Kyi, ikonë e çmitizuar


Aung San Suu Kyi, Kancelare e Myanmar-it dhe fituese e çmimit Nobel në 1991

Time Magazine, e ka quajtur në mbyllje të mijëvjeçarit të shkuar, “pasardhësja e Ghandi-t”. Ajo është nobelistja e paqes për vitin 1991. Për sytë ndërkombëtarë, ajo është një ikonë e demokracisë, e cila ka kaluar 15 vite në arrest shtëpie. Ajo quhet Aung San Suu Kyi dhe në 1 shkurt 2021, rrëzohet nga pozita e kancelares së Myanmar-it, me anë të një grushti shteti.

Për pjesën më të madhe të jetës, Suu-ja është parë si një ndër figurat më influence në botë përsa i përket demokracisë dhe paqes. Figura e saj, atashohet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me babain e saj, Aung San.

Ai njihet si babai i kombit modern burmez. Kur Suu-ja ishte vetëm dy vjeç, ai u vra në një sulm në godinën e Sekretariatit të Myanmar-it. Kjo ngjarje e bëri babain e Suu-së hero, duke i falur edhe asaj vetë, një figurë të lartë në sytë e qytetarëve të shtetit aziatik.

Në vitin 1964, ajo shkoi të studionte në Universitetin e Oxford-it. Pikërisht aty, njohu burrin e saj të ardhshëm, Michael Aris, me të cilin do të kishte dy fëmijë. Jeta e saj u zhvendos tërësisht në Britaninë e Madhe.

Kthimi në Myanmar

Për shkak të një sëmundje të rëndë të mamasë, Suu-ja kthehet në Myanmar në vitin 1988. Jeta e saj merr një rrjedhë tjetër, pas përfshirjes në protesta të shumta ndaj ushtrisë. Figura e saj, pavarësisht largimin për një kohë të gjatë nga atdheu, mbarte ende influencë. Hija e babait, sigurisht, qëndronte mbi shpatullat e saj.

Ajo u vendos në arrest shtëpie, pasi partia e saj fitoi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1990. Ironikisht, forcat e armatosura që themeloi babai i saj, ishin ato që e burgosën.

Figura e Suu-së u lartësua pas arrestimit. Çmime të shumta ndërkombëtare iu adresuan, përfshirë Nobelin për paqe.

Në vitin 1996, një eskortë autoveturash, në të cilat Suu-ja po udhëtonte, u sulmua nga mbi 200 persona me sende të forta. Ndaj tyre gjithsesi, nuk u mor asnjë masë, pavarësisht faktit se qeveria ndërmori një hetim.

Demokratja e Myanmar-it, u vu sërish nën arrest shtëpie. Këtë herë, për të qëndruar gjatë. Në 21 vite, Suu-ja shpenzoi 15 nën arrest shtëpie. Në vitin 2007 filloi rebelimi i qytetarëve ndaj regjimit. Tre vite më pas, ajo lirohet.

Zgjedhjet e 2015-ës, ishin të parat, të cilat i dhanë shansin Suu-së të ri konfirmonte ndikimin e saj në politikë. Në fakt, fitorja ishte marramendëse. Partia e saj fitoi mbi 70% të vendeve në dy dhomat e parlamentit. Ushtria po kuptonte se Suu-ja, ishte një rrezik për pushtetin e tyre.

Rënia e një ikone

Viti 2017 do të shënjonte një rënie të ndjeshme të figurës së Suu-së. Çështja e popullsisë Rohingya në Myanmar, është një temë më vete. Gjerësisht, disa militantë të këtij komuniteti, sulmuan forcat e rendit të zonës Rakhine, pjesë e Myanmarit.

Kundërpërgjigja e ushtrisë së Myanmarit ishte brutale. Këtu përfshihen vrasjet, djegiet e fshatrave dhe detyrimi i njerëzve për t’u larguar nga shtëpitë e tyre. Mbi 700 mijë, iu drejtuan vetëm Bangladeshit.

Ajo që Suu-ja bëri, ishte e pa imagjinueshme për një fituese të çmimit Nobel. Ajo përligji përgjigjen e ushtrisë. Madje, ajo i quajti terroriste sulmet e fshatarëve, pavarësisht margjinalizimit të çështjes. “Ushtarët po zbatonin ligjin”. Kjo fjali, përmbushi çmitizimin e një ikone.

Suu-ja u përball me akuza për gjenocid në Hagë. Disa çmime ndërkombëtare iu hoqën. Populli vazhdonte t’i besonte figurës së saj, por veprimet shfaqnin diçka tjetër.

Deri sa, ironia e fatit, goditi sërish. Historia u përsërit. Suu-ja fitoi sërish zgjedhjet parlamentare, madje me avantazh më të thellë, në nëntor të 2020-ës. Tre muaj më pas, vjen grushti i shtetit, i paralajmëruar, tashmë edhe i realizuar.

Në 1 shkurt 2021, ikona e demokracisë dikur, u rrëzua. Këtë herë, për t’u vendosur nën arrest. Jo nga shtëpia tashmë, por pas hekurave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore