Shqipëria

Pse 1 marsi mund të jetë dita më e rëndësishme e vitit?


Çdo ditë është e veçantë, por 1 marsi i sotëm, mund të jetë përcaktues për shumëçka. Mbi të gjitha, për ngjarjen e vitit në Shqipëri: Zgjedhjet e 25 prillit.

Tre janë arsyet, pse 1 marsi mund të përcaktojë rrjedhën politike të vendit: E para, ka të bëjë me takimin midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, mbi çështjen e Stabilizim-Asocimit.

E dyta, me konkretizimin e marrëveshjes paszgjedhore midis Partisë Demokratisë dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ndërkaq, çështja e tretë dhe e fundit është më delikate, pasi ajo lidhet me mbledhjen e Komitetit të Ekspertëve, mbi caktimin e masave të reja kundër Covid-19.

Shqipëri-BE

Mbledhja e 11-të e Këshillit të Stabilizim-Asocimit do të mbahet më 1 mars në Bruksel. I pranishëm do të jetë kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Të martën e 23 shkurtit, gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët, kryeministri Rama iu përgjigj interesit të Albanian Post mbi çështjen, duke deklaruar se “më 1 mars do të shkonte në Bruksel për të takuar Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Përtej takimit mbi hyrjen e Shqipërisë në BE, Rama pohoi se do të diskutohet edhe konkretisht për projekte dhe tërheqje fondesh nga plani i Këshillit të Evropës.

Ky nuk do të ishte detaj aq i rëndësishëm, nëse kryeministri nuk do të kishte shtuar se ky plan, “do të jetë pjesë themelore e mandatit të tretë qeverisës”. Pra, ky takim, do të përdoret për fushatën elektorale 2021.

Vëmendja e mbledhjes do të jetë në kriteret politike të Shqipërisë, ato ekonomike dhe bashkëpunimet financiare.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaronte më 22 shkurt nga foltorja e Parlamentit se “Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për të merituar Konferencën e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE”.

Se çfarë do të prodhojë takimi, mbetet për t’u parë.

PD-LSI

Aleatët zgjedhorë janë bashkë, por të ndarë! Gjithsesi, 1 marsi mund të jetë shumë i rëndësishëm edhe për dyshen opozitare.

Pas vendimit mbi daljen me dy lista në zgjedhje, pritet një vendim tjetër për konkretizimin e marrëveshjes paszgjedhore.

Sipas një deklarate që zëdhënësi për shtyp i LSI-së, Klajdi Bodlli, ka dhënë për Albanian Post, 1 marsi do të jetë pikërisht dita kur ky vendim do të nënshkruhet.

Pritet ende të kuptohet nëse socialistët e qendrës do t’i bashkohen konkretisht listës së PD-së në dy qarqe: Kukës dhe Dibër. Marrëveshja për formimin e koalicionit pas zgjedhjeve gjithsesi, pritet të jetë çështje kohe.

Nëse ky vendim merret, atëherë subjektet do të jenë të detyruara të zbatojnë marrëveshjen në rast fitoreje. Pra, nëse Partia Socialiste nuk arrin të krijojë e vetme qeverinë, PD-LSI do të bashkëpunojnë për të bashkëqeverisur.

Kjo marrëveshje mund të përcaktojë edhe fatin e votave të shqiptarëve. Një konkretizim i mëtejshëm prej dy aleatëve, duhet pritur.

Komiteti i Ekspertëve-Covid 19

Ngjarja e tretë mund të pandehet si e lidhur më shumë me shëndetin se sa me zgjedhjet. Kjo, është pjesërisht e vërtetë!

Lidhja e plotë me shëndetin është e pamohueshme. Kjo gjë, nuk lë prapa implikimin e drejtpërdrejtë të situatës me procesin zgjedhor.

Së pari, shifrat e infektimeve në Shqipëri janë në rritje. Ato të vdekjeve gjithashtu. Kurba nuk po njeh ulje dhe ashpërsimi i masave është i pritshëm.

Më shumë se dy javë më parë, ora policore u zgjerua, duke e çuar lejen e lëvizshmërisë nga ora 06.00-20.00. Pra, duke e ulur me dy orë nga sa ishte më parë.

Por, nëse masa të reja merren, ato mund të ndikojnë dhe të shtrijnë efektet edhe deri në ardhjen e zgjedhjeve – këto të fundit më pak se dy muaj larg.

Nëse masat nuk shtohen, implikime mund të ketë sërish. Duke qenë se kurba e infektimeve është në rritje, mund të hamendësohet se edhe rastet aktive do të rriten.

Për shkak të ngërçit të Kodit Zgjedhor, personave të infektuar me Covid-19 mund të mos i mundësohet vota! Shqipëria nuk parashikon asnjë metodë të votimit jashtë qendrave të caktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, qytetarët e prekur nga sëmundje, detyrimisht duhet të karantinohen. Kështu, duke e bërë të pamundur votimin për ta.

Këtë fakt e ka pohuar vetë anëtari i Komisionit Rregulator pranë KQZ-së, Dritan Caka, në një prononcim për Albanian Post. “Të gjitha mundësitë po shqyrtohen”, sipas Cakës. “Po shihet edhe rasti i Kosovës, por duhet parë zbatueshmëria”.

Ky trinitet ngjarjesh në ditën e parë të muajit të tretë, mund të sjellë një rishpërndarje të dinamikave politike në Shqipëri.

Për çfarë u tha më sipër dhe mbi të gjitha për çfarë mund të ndodhë realisht në këto tre skenare, 1 marsi ka potencialin të kthehet në ditën më të rëndësishme të vitit për shqiptarët në vitin 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore