Lajme

PSD pas protestës: Polici e dhunshme dhe jo profesionale


Protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike para Qverisë së Kosovës

“Polici e dhunshme dhe joprofesionale”, ka shkruar në reagimin publik zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, pas njoftimit të Policisë së Kosovës se tre zyrtarë  nga ky institucion u lënduan gjatë protestës së organizuar nga kjo parti kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Qeveri qe nuk përfaqëson”, vazhdon më tek Kuçi në llogarinë e saj në Facebook.

“Shkallet e ndërtesës së Qeverisë nuk ka pse të mbrohen. Hapësira i takon qytetarit. Objektet janë të burokratëve të bllokuar, hapësira është e qytetarëve të lirë. Ajo duhet të jetë e lirë, në secilën protestë pavarësisht kush e organizon. Taktikat selektive përbejnë diskriminim”, shkruan në reagimin e saj Kuçi.

Nuk ka kush që e frenon fuqinë e drejtësisë së njerëzve të angazhuar, shkruar Kuçi.

Gjatë protestës të së shtunës për shtrenjtimin e rrymës përpara Qeverisë së Kosovës, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj e ka goditur me shuplakë në fytyrë një pjesëtar të Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore gjatë kësaj protestës që e organizoi PSD në Prishtinë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Policia tutje shton se “disa nga pjesëmarrësit kanë shpërfillur urdhrat e zyrtarëve policor, të cilët përtej hedhjes së gjësendeve të ndryshme, me veprimet dhe sjelljet e tyre u kanë shkaktuar lëndime të lehta tre zyrtarëve policor që ishin në kryerje të detyrës zyrtare”.

Në përpjekje për të mbajtur fjalim në shkallët para dyerve të objektit të Qeverisë, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, është filmuar duke qëlluar me shuplakë një zyrtar policor.

Me mbishkrimet, ”Ju e rrisni çmimin, ne rezistencën”, “Krejt rrogat në rrymë”, “Krejt dhe shtrenjtë”, “Lypëm dritë, gjetëm terr” dhe thirrjet “Populli i bashkuar ka për të fituar”, qytetarët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tarifat e reja të energjisë, në këtë protestë.

Qytetarët protestues janë nisur nga sheshi Zahir Pajaziti dhe janë grumbulluar para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se propozimi i ZRRE-së duhet të kthehet mbrapa, pasi në të kundërtën do të ketë protesta çdo ditë.

Në protestë kanë marrë  pjesë rreth 3 mijë  protestues, sipas KMDLNj-së.

Pas protestës së sotme ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se kishte përpjekje për ta eskaluar protestën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore