Lajme

PSD do të protestojë ditën kur Trëndafilova viziton Kosovën: Gjykata Speciale po bën politikë


Dardan Molliqaj

Partia Socialdemokrate ka paralajmëruar protestë në ditën kur presidentja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë.

Ndonëse jo-zyrtarisht është raportuar se vizita e Trëndafilovës është shtyrë për një datë tjetër, kreu i kësaj partie, Dardan Molliqaj, ka thënë se protesta do të mbahet kurdo që ajo vjen në Kosovë.

“Kryetarja Ekaterina Trëndalifova anuloi vizitën e saj. Por cili është qëllimi apo kuptimi i takimit të një gjykate me shoqërinë civile? Tejet e çuditshme, apo jo? Gjykata Speciale tashmë as nuk po fshihet prapa drejtësisë. Ajo ka filluar të merret me imazhin e saj. Po bën politikë”, ka shtuar ai.

“Tendencave që, përmes këtyre takimeve të normalizohet përndjekja politike, do t’u përgjigjemi pa hezitim. Me rezistencë”.

Për Molliqajn, roli i Gjykatës Speciale nuk është ai i sjelljes së drejtësisë, por i damkosjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj çlirimtare.

“Gjykata Speciale ka nisur tash e 7 vite. Me një qasje një-etnike ndaj luftës në Kosovë, me shkeljen e të drejtave të njeriut për të akuzuarit, me gjyqtarë racistë që shqiptarët i sheh si ‘kafshë që duhen zbutur’, e deri te mungesa e simboleve shtetërore të Kosovës në një gjykatë të saj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore