Shqipëria

PS tërhoqi amnistinë penale, Basha tregon dy kushtet për votat


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se përfitimi nga amnistia i protestuesve të PD-së dhe protestave qytetare është i panegociueshëm.

Basha dhe deputetët e tij munguan në seancën plenare të kësaj të enjteje siç paralajmëruan një ditë më parë.

Ai ka thënë se shpreson që tërheqja e Partisë Socialiste nga votimi për amnistinë, mos të jetë pjesë e pazarit të gjësë së gjallë për të peshkuar deputetë që ta votojnë atë.

“Dëgjuam një deklarim të PS-së për arsyen se pse u hoq amnistia. Shpresoj të jetë pjesë e gënjeshtrave të këtyre ditëve dhe të mos jetë pjesë e pazarit të gjësë së gjallë për të peshkuar deputetë për të votuar”, ka thënë ai.

Sipas Bashës, hapi i parë që e zgjidh këtë është heqja dorë nga propozimet që u futën “tinëzisht” për të përfituar zyrtarët e korruptuar.

Së dyti, ai ka kërkuar futjen e propozimeve të PD-së për t’u përfshirë në amnisti protestuesit. “Është kërkesë e PD, nuk është kërkesë për negocim, nuk është negocim është e domosdoshme”.

“Nuk ka asnjë tërheqje, ta marrin parasysh ata që kanë shumicën e votave, është qëndrimi ynë dhe i pandryshueshëm”, ka vijuar Basha.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi, ka treguar se nuk ka qenë mungesa e votave në parlament, por “tradita” për një votim me konsensus të plotë, arsyeja pse të majtët u tërhoqën nga votimi i ligjit për Amnistinë Penale.

Pas mbylljes së seancës, Çuçi ka folur për mediat, duke thënë se votat e majta janë solide dhe se ka edhe deputetë të tjerë brenda Parlamentit, të cilët do ta votonin amnistinë.

“Do shohim çdo ndodhë në ditët në vijim. Sot e tërhoqëm në respekt të traditës për ta votuar me konsensus të plotë”, përshkroi Çuçi.

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka sulmuar ashpër opozitën, duke thënë se grupimi i djathtë po gënjen sa i takon amnistisë.

Ai tha se ajo do të votohet me 90 vota, pasi ka edhe deputetë të tjerë, të cilët janë të përgjegjshëm.

“Kam dëgjuar disa avokatë që paradite rrinë në oborret e gjykatave për gjoba, në drekë shkojnë te partitë opozitare, në darkë në banaqet mediatike”, theksoi Manja.

Më tej, ai tha se nga mazhoranca është bërë e qartë që nuk ka amnisti për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Një nga ato gënjeshtar e kishit pak përpara këtu që tha se amnistia synon të amnistojë zyrtarët e korruptuar.

“Nuk u ve faj sepse këto ditë ata janë bërë bashkë gjasme, për të shpalosur programin. Mos prisni gjë të vërtetë nga ato, është bërë bashkë me Nokën, dhe e vërteta ka ikur në drejtim të paditur”, përmblodhi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore