Shqipëria

Protestë para Ministrisë së Brendshme për vrasjen e 7-vjeçares në Potam


Një tubim online i shoqërisë civile do të përmbyllet me protestë para Ministrisë së Brendshme të enjten e 4 gushtit.

Kjo, pas vrasjes tragjike të 7-vjeçares në Potam të Himarës.

Nën moton “Nuk e vrau varka, por Shteti!”, tubimi do të mbahet rreth orës 19:00.

Protestuesit do të kërkojnë largimin nga detyra të tre zyrtarëve të lartë, ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Në orët e mbrëmjes të 2 gushtit, qytetarë të shumtë zhvilluan homazhe në oborrin para Kryeministrisë.

Incidenti i rëndë i cili u regjistrua në Himarë, shkaktoi një reagim të gjerë në opinionin publik sa i takon sigurisë në plazhe.

Ndërtimi i ngjarjes

Ata ishin me origjinë nga Tropoja, por prej vitesh jetonin në Kanada. Vajza 7-vjeçare pati lindur atje dhe pushimet e këtij vitit, kishin vendosur t’i kalonin në Himarë.

Ndoshta gjithçka do të mbetej një kujtim i bukur, po të mos ishte për tragjedinë që e goditi familjen Avdia, kur të tre pjesëtarët e saj, u goditën nga një mjet lundrues, i cili doli në breg të detit.

Prindërit, dikush më lehtë e dikush më rëndë, mbetën të plagosur. E mitura – me flokë të arta siç e përshkruajnë dëshmitarët e horrorit në bregdet – mbeti e vdekur në vend.

E gjithë kjo, nga dora e një efektivi të Policisë së Shtetit, i cili ushtronte detyrën e shefit të Seksionit të Policimit në Komuniteti pranë Komisariatit të Policisë Elbasan.

Arian Tase, nga një funksionar publik, ishte kthyer në personin, i cili i mori jetën një vajze 7-vjeçare në rivierën shqiptare.

Nga pakujdesia apo tjetër gjë, kjo mbetet për t’u hetuar nga organet kompetente.

E sigurt është se ai u arrestua menjëherë dhe u pezullua nga detyra prej drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, deri në një hetim të plotë e të pakushtëzuar prej organeve përkatëse.

Babai i vajzës, menjëherë pas ngjarjes, është konfrontuar me Taren, por i pafuqishëm të përballojë situatën dhe humbjen e vajzës, ka rënë në gjunjë në vajtim.

Pushuesit rreth e rrotull, kanë filmuar gjithçka.

Një ngjarje kjo, e cila është e përsëritur gjatë këtij viti, edhe pse në fatalitet ka kaluar për herë të parë.

Gjatë muajve të shkuar, skenarë thuajse identikë kanë ndodhur me mjete të tjera lundruese, të cilat kanë dalë në breg me shpejtësi të plotë dhe kanë goditur pushuesit në çadrat e tyre.

Fati më i keq këtë radhë, ka prekur familjen Avdia, të cilët kanë humbur vajzën e tyre, duke kaluar nga pushimet në një ferr të vërtetë.

Masat ndërkohë, ende priten, me një reagim të thelluar të strukturave shtetërore, për të bërë që bregdeti, të mos përgjaket më si Himara.

Shkarkohet i gjithë zinxhiri komandues në Drejtorinë për Kufirin në Vlorë, pas ngjarjes së Himarës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore