Kosova

Protestë para Kuvendit kundër deputetëve që e kundërshtuan Projektligjin për Fertilizim të Asistuar


Pamje nga protesta

Të enjten para Kuvendit të Kosovës, kolektivi “Marshojmë S’festojmë” ka organizuar një aksion simbolik lidhur me reagimet kundër Projektligjit për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor.

Anëtarët e këtij kolektivi kanë shfaqur edhe një pankartë në hyrje të Kuvendit të Kosovë me mbishkrimin “deputetët/et s’kanë mandat me i cenu trupat tanë”.

Të njëjtit gjithashtu kanë vendosur afishe me mbishkrime kundër deputetëve që kanë votuar kundër këtij projektligji në muret e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

“Eman mos rrej”, “Duda ku i ki kufijtë?”, “Albena edhe seksiste edhe raciste”, “Shkarkone Duda Baljen”, janë disa nga afishet e vendosura në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Pas aksionit simbolik në një prononcim për media, anëtarja e Kolektivit në fjalës, Blenda Asllani, ka potencuar se kërkesat e tyre janë shkarkimi i Duda Baljes nga pozita e kryetares së Komisionit për të Drejta të Njeriut dhe sanksionimi i të gjithë deputetëve të cilët brenda kuvendit apo në paraqitje publike përdorin gjuhë të urrejtjes ndaj komuniteteve të caktuara.

“Sot mbyllëm dyert e Kuvendit të Kosovës me një mesazh të fuqishëm: Deputetët s’kanë mandat për të cenuar trupat tanë! Diskutimi i ditëve të fundit, brenda e jashtë Kuvendit mbi Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor ka qenë dehumanizues ndaj grave të Kosovës. I njëjti, është përcjellë me propagandë edhe me gënjeshtra nga deputetët, për qëllime patriarkale e elektorale. Ne jemi këtu sot, për të demantuar këto gënjeshtra, dhe për t’ua thënë me zë të lartë emrat deputetëve patriarkalë”.

Eman Rrahmani, Duda Balje, Albena Reshitaj, Visar Korenica e deputetë të tjerë, sipas Asllanit, e kanë gënjyer publikun duke thënë se ky ligj e shkatërron familjen dhe e mundëson incestin.

“Krejt kjo, përderisa në spitalet private në Kosovë dhe jashtë Kosovës, janë duke u derdhur shuma të mëdha parash, për realizimin e fertilizimit të asistuar mjekësor nga gratë çiftet që kanë nevojë për të. Deputetët tanë diskutojnë për skenare absurde, abstrakte dhe nacionaliste, përderisa grave e çifteve në Kosovë iu shterën xhepat në spitale private, të pambrojtur”.

Këta deputetë, sipas aktivistes, nuk i konsiderojnë gratë individë me aftësi për të marrë vendime për veten dhe të ardhmen e tyre riprodhuese.

“Për ta, gratë janë individë me fuqi vendimmarrëse për trupat e tyre, vetëm nëse janë të martuara me një burrë. Duke u thirrur në lirinë e fjalës e pozicionit personal, këta deputetë, që s’përfaqësojnë veten, por popullin, po mbi të drejtat e shëndetit riprodhues të grave dhe po i trajtojnë trupat tanë vetëm si makina riprodhimi që përdoren për politika nataliteti, duke shkelur përmbi agjencinë tonë trupore, si gra”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore