Lajme

Protestë para Komunës kundër “Prishtina Parking”


Protesta e banorëve para komunës së Prishtinës.

Të premten e 18 marsit, banorët e lagjes “Lakrishta”, “Qendra”, “Bregu i Diellit” dhe “Santea”, kanë protestuar para Komunës së Prishtinës kundër ndërmarrjes “Prishtina Parking”, e cila i vendosi laurat në lagjen e tyre.

Qytetarët janë mbledhur me qëllim për të dorëzuar disa kërkesa, mirëpo të njëjtit nuk u lejuan të hyjnë brenda.

Nga Komuna iu është thënë se duhet të presin deri sa të njoftohen zyrtarët, ndërkohë që  para objektit të Komunës së Prishtinës kanë qëndruar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Protesta e banorëve para komunës së Prishtinës.

Më 2 mars, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, është ankuar për probleme me parkingjet në Prishtinë për të punësuarit në kryeqytet.

Përmes një reagimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se këto veprime po e vështirësojnë jetën e qytetarëve.

“Veprimet e përshpejtuara e të paarsyeshme dita-ditës janë duke ia vështirësuar e duke ia vështirësuar jetën ekonomike e sociale edhe ashtu të vështirësuar e të vështirësuar të qytetarit të Republikës së Kosovës”.

“Parkingjet e shtrënguara dhe të ‘kontrolluara’ por jo të mirëmbajtura si duhet dhe me procedura të vështirësuara gjithandej qytetit të Prishtinës po ia vështirësojnë jetën qytetarëve e sidomos të punësuarve”, thuhet në një reagim të BSPK-së të martën.

Protesta e banorëve para komunës së Prishtinës.

Në këtë reagim thuhet se aktualisht është gati e pamundur t’i afrohesh vendit të punës dhe të kesh vendparkimin e duhur e në kohën e duhur.

BSPK-ja është shprehur se nuk pajtohet me veprimin e Komunës së Prishtinës që ka nisur së implementuari me “Prishtina Parking” në disa lagje të qytetit.

Në Prishtinë, ka dy vjet që ka nisur edhe ndërtimi i një parkingu të madh te hapësira e kampusit të Universitetit të Prishtinës.

Nga Komuna e Prishtinës, kanë thënë se projekti pritet të përfundoj në korrik të vitit 2022.

Punimet për ndërtimin e parkingut nëntokësor kanë filluar në tetor të vitit 2020, megjithëse kontrata është nënshkruar në vitin 2019.

Parkingu parashihet të ketë 23000 metra katrorë hapësirë, 2 kate me nga 11 mijë e 500 metra katrorë dhe përafërsisht me 700 vend parkime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore