Shqipëria

Protesta e banorëve të ‘5 Majit’, Meta: Palët duhet të dialogojnë


“Unë kam një shqetësim për brutalitetin e ushtruar në lagjen e “5 Majit. Të gjithë janë duke respektuar ligjin ndaj duhet të dialogojnë”.

Kështu ka deklaruar presidenti llir Meta, përmes një prononcimi për mediat të mërkurën e 19 janarit.

“Banorëve u duhet ofruar strehim. I bëj thirrje avokatit të Popullit të njihet me të gjitha shkeljet”.

Zona e “5 Majit” në Tiranë, të mërkurën e 19 janarit është rrethuar nga Policia.

Kjo në kuadër të procesit të rindërtimit.

Banorët kanë refuzuar shembjen e banesave – që pritet të bëhet nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në orën 10:00 – duke u përplasur me Policinë.

Bashkia e Tiranës ka njoftuar se do të jenë tri banesa që do të prishen.

Më herët, ka pasur një përplasje mes banorëve të lagjes “5 Maji” në Tiranë dhe përfaqësuesve të Bashkisë.

Banorët janë kundër prishjes së banesave të tyre, pasi shprehen se ende nuk kanë rënë në marrëveshje me shtetin për këtë hap.

Ndërkohë, përfaqësuesi i bashkisë, u shpreh se është programuar prishja, pasi dëmet e shkaktuara në tërmetin e 2019, rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.

Atyre u janë bashkuar dhe deputetë të Partisë Demokratike.

Në mbështetje të banorëve, kanë shkuar deputeti Klevis Balliu, i cili ka qenë edhe në protestat e banorëve të Astirit, Ervin Minarolli, të dy nga Komisioni i ashtuquajtur i Rithemelimit të PD-së.

Gjithashtu aty është dhe deputetja Dhurata Çupi.

5 Maji” brenda një viti, qendër urbane ekonomike

7 muaj më parë ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili është shprehur se në zonën e 5 Majit, do të ndërtohet brenda një viti, një nga qendrat më moderne në Shqipëri.

Kryeministri shtoi se do të jenë 3 mijë e 500 apartamente, të cilat do të shërbejnë për strehimin e 11 mijë banorëve. Pesë objekte publike do të ndërtohen në zonë. Ndër to, edhe godina e përbashkët e Drejtorisë së Tatimeve dhe asaj të Doganave.

Tre objekte të tjera arsimore janë të përfshira në projekt. Një shkollë profesionale do të ndërtohet dhe një qendër franceze e edukimit të teknologjisë digjitale.

Kjo e fundit, do të emërohet “Ecole 42” dhe njeh mbështetjen e presidentit francez, Emmanuel Macron.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore