Lajme

Propaganda e lodhët e Dreçun-it: “Kurti po përpiqet të kryejë ‘spastrim etnik’ në Kosovë”


Milovan Dreçun

Kryetari i të ashtuquajturit “Komision për Kosovën” në Parlamentin e Serbisë, Milovan Dreçun, pretendoi se taktika e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk është vetëm “frikësimi i serbëve”, por edhe një përpjekje për të kryer “spastrimin etnik” në Kosovë.

“Me ardhjen e Kurtit në pushtet, mbi popullin serb u bë një terror i dyfishtë, njëra është institucionale – ku nuk respektohet vullneti elektoral i popullit serb dhe në anën tjetër, dhuna fizike dhe tortura ushtrohet nga pjesëtarët e njësive speciale, veçanërisht në veri të Kosovës”, tha ai, transmetojnë mediat serbe.

Njëri ndër korrierët kryesorë të propagandës serbe, vlerësoi se ky “spastrim etnik” mund të jetë një lloj “strategjie” që kryeministri Kurti po e përdorë për të mos e themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa shtoi se këtë mund ta bëjë vetëm duke shkaktuar “destabilizim të rëndë”.

Kryeministri Kurti, sipas pretendimeve të politikanit serb, është nën presion të madh nga Perëndimi për të zbatuar atë që parashihet me Marrëveshjen e Brukselit (2013-2015), por edhe nën presionin e fortë të partive opozitare në Kosovë, të cilat nuk po e pranojnë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Ata e akuzojnë se nuk ka marrë asgjë, as njohje nga Beogradi, as garanci për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ai është dashur të pranojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe do të përpiqet që në periudhën e ardhshme të shmangë atë me çdo kusht”, tha Dreçun.

Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të Bashkimit Evropian më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Këtij teksti – ashtu sikurse më 27 shkurt në Bruksel – i ka munguar një aspekt i rëndësishëm: nënshkrimet e dy lojtarëve kryesorë – kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Alekandër Vuçiç. Ky aspekt po vlerësohet nga njohësit si pengesë për zbatimin e plotë të marrëveshjes.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Megjithatë, gjatë ditëve të fundit janë djegur disa vetura në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Disa prej veturave ishin me targa të Kosovës, ndërsa disa tjera me targa të Serbisë, prandaj ekspertët po vlerësojnë se tensionet mund të rikthehen sërish në këtë pjesë.

Marrëveshja e Ohrit kërkon nga palët, ndër të tjera, që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore