Libra

Promovohet libri i Atdhe Hetemit “Lëvizjet Studentore për Republikën e Kosovës”


Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është promovuar libri i Atdhe Hetemit “Lëvizjet Studentore për Republikën e Kosovës”, ngjarje kjo e organizuar nga Departamenti i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Libri i Atdhe Hetemit tregon rolin tejet të rëndësishëm të studentëve të Universit të Prishtinës në periudha të ndryshme kohore, por me të njëjtin ideal. Idealin për çlirimin nga kthetrat e hegjemonisë së regjimit serbo-jugosllav, dhe Kosovën “Republikë”.

Autori në këtë vepër paraqet trajektoren historike të progresionit të idesë studentore për statusin e Republikës së Kosovës, si dhe rolet e ndryshme të protestave të studentëve në formësimin e vetëdijes kolektive të shoqërise kosovare.

Atdhe Hetemi ka kryer doktoratën në Universitetin e Ghent-it, Belgjikë. Ai aktualisht është i vendosur – si bashkëpunëtor kërkimor – në Qendrën për Studime të Lëvizjes Sociale në Scuola Normale Superiore në Firence. Z. Hetemi ka përvojë për mbi një dekadë në institucionet akademike dhe organizatat ndërkombëtare.

Ai ka shkruar artikuj dhe ka mbajtur leksione mbi temat e stabilitetit politik dhe institucional nga këndvështrimi publik, qeverisja dhe zhvillimi i mirë, historia bashkëkohore dhe politika e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë ngjarje promovuese si bashkëbisedues ishin edhe profesorët Shemsi Krasnqi dhe Gëzim Selaci, dhe u moderua nga studiuesja e sociologjisë Greta Avdyli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore