Gjykata Speciale

Prokurorja e Specializuar për aktgjykimin e Apelit ndaj Mustafës: Fitore për drejtësinë


Prokurorja e specializuar Kimberly West.

Prokurorja e specializuar Kimberly West, e ka mirëpritur aktgjykimin e të enjtes në ankesën e Salih Mustafës, i cili ndryshoi dënimin e Mustafës, si një fitore për drejtësinë duke ulur dënimin e tij prej katër vitesh nga 26 sa i kishte nga vendimi paraprak.

“Mirëpres aktgjykimin e sotëm i cili me gjithë ndryshimin e vogël të dënimit të z. Mustafa, përbën një fitore për drejtësinë dhe në veçanti, për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre”, tha West.

Ndërsa, prokurori i Specializuar ka nderuar edhe guximin e dëshmitarëve që dëshmuan në gjyqin Mustafa.

“Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ka qenë kritike në këtë rast dhe unë përshëndes guximin e tyre në dhënien e dëshmive në gjykatë”, tha prokurori i specializuar.

Nga 26 në 22 vjet burgim i është zvogëluar dënimi nga Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuar të Kosovës këtë të enjte, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i dënuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.

“Apeli le në fuqi verdiktin e fajësisë për zotëri Mustafa për krime lufte dhe të ndalimit arbitrar”, u tha fillimisht nga gjyqtarja Michele Picard.

Ajo vazhdoi leximin e aktgjykimit duke shtuar se “ i anulon vendimin me 10 vjet burgim në lidhje me pikën 1 të aktakuzës dhe cakton një dënim me 8 vjet burgim. Anulon dënimin me 22 vjet burgim në lidhje me pikën 3 të aktakuzës dhe cakton një dënim me 20 vjet burgim. Anulon dënimin me 25 vjet burgim në pikën e 4 të aktakuzës dhe cakton një dënim me 22 vjet burgim”, dhe si përfundim “anulon dënimin e njësuar me 26 vjet burgim dhe cakton një dënim me 22 vjet burgim duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim”.

Po ashtu, gjyqtarja Picard në fund të shpalljes së aktgjykimit ka bërë të ditur se Mustafa do të mbetet në paraburgim në Hagë deri në finalizimin e masave për transferimin e tij në shtetin ku do ta vuajë dënimin e mbetur.

Ky vendim i Apelit erdhi pasi “Komandat Cali” më 16 dhjetor të vitit të kaluar ishte dënuar nga shkalla e parë e Speciales me 26 vjet burgim për “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme të shqiptarëve”.

Këto krime dyshohet se ishin kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999, derisa aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”, thuhet në aktakuzë.

Gjithashtu, në aktakuzë theksohej se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Por, gjykata nuk tregon se kush është personi i vrarë.

Në anën tjetër, Mustafa, i pyetur se si deklarohet për akuzat, kishte thënën “i pafajshëm në të gjitha pikat që mi ngarkon kjo Zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Apeli vendos – Salih Mustafës i ulet dënimi vetëm 4 vjet, do t’i vuajë 22 të tjera

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore