Lajme

Projektligji i propozuar nga PDK-ja, mbështetet nga partitë opozitare, por jo nga LVV-ja


Ilustrim

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ka prezantuar para deputetëve Projektligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, të cilën e ka quajtur shumë të nevojshme për qytetarët e Kosovës.

Në anën tjetër deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, përveç se ka folur për rëndësinë e këtij projektligji ka deklaruar se qytetarët e Kosovës ndër vite blejnë barna më shtrenjtë se të gjitha qytetarët e rajonit.

“Është më se e nevojshme që kjo sferë të rregullohet me një ligj të veçantë. Në konsultim me odën e farmacisë dhe akterë të tjerë, ua kemi sjell të gatshëm një projektligj të rëndësishëm për sferën e shëndetësisë që rregullon çmimin e produkteve medicinale”, tha Haxhiu.

Pro këtij projektligji është Lidhja Demokratike e Kosovës. Deputeti nda radhët e kësaj partie Armend Zemaj ka thënë se ligji është në interes të qytetarëve.

E kundër këtij projektligji ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, me pretekstin se Projektligji në fjalë është kopje e Udhëzimit të ish-ministrit, Uran Ismaili.

“Nuk plotëson asnjë nga kushtet ligjore. Krejt këto për të kamufluar interesat në emër të një titulli. Titulli i mirë nuk e bën dokumentin e mirë. Ky dokument është kopje e udhëzimit të cilin e ka pas bërë Uran Ismaili”, ka thënë deputeti i LVV-së, Besim Muzaqi.

Propozuesja e këtij projektligji, Zejnullahu, në anën tjetër arsyetimin e partisë mazhoritare për të mos dhënë mbështetje këtij ligji e ka konsideruar të kotë.

“Qeveria nuk i ka dhënë mbështetje këtij projektligji me një arsyetim të kotë, se qenkan vetë në përpjek të hartimit të këtij projektligji. Ky arsyetim është i pa qëndrueshëm sepse një projektligj i tillë ka qenë në agjendë edhe vitin e kaluar dhe kjo qeveria nuk e ka marrë fare mundin që të punoj në këtë drejtim”, ka thënë Zejnullahu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore