Lajme

Profesori serb: Mjaft më me mite për Kosovën, gjithçka përfundoi në vitin 1999


Ratko Bozhoviç

Për profesorin serb të Shkencës Politike, Ratko Bozhoviç, historia e zhurmshme e “dorëzimit dhe tradhtisë” së Kosovës ka marrë fund njëherë e përgjithmonë, sepse siç theksoi ai, praktikisht gjithçka përfundoi në vitin 1999.

“Së fundi, për të qenë të drejtë, ne nuk mund të pretendojmë më se diçka është e jona kur nuk është. Në dëshirat dhe fantazitë tona që Kosova të jetë pjesë e Serbisë, ne e harrojmë se ku jemi tani, në cilin vend jetojmë, ku janë kufijtë e saj”.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme të krijohen kushte të besueshme për realizimin e lirisë dhe dinjitetit për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si për serbët ashtu edhe për shqiptarët”, shtoi sociologu Bozhoviç.

Në këtë kontekst, profesori serb kritikoi edhe partitë opozitare në Serbi, të cilët duke e parë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë me syze të zeza etno-nacionaliste, kanë kërcënuar me protesta të dhunshme.

“Disa do të donin të fitonin pikë politike për mitin e Kosovës, duke refuzuar të shohin realitetin, të tjerët janë më realistë, por nuk duan që deklaratat e tyre të kuptohen si mbështetje për qeverinë. Në përgjithësi, është e gjitha patetike dhe e mjerueshme”.

“Dhe përveç kësaj, me thënë të drejtën, vetë opozita është kapur shumë pas nacionalizmit. Prandaj ka mbështetje të dobët për vlerat demokratike, liberale dhe civile, madje edhe për zgjidhje të tilla kur është fjala për Kosovën”, shtoi ai.

Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”. Një dakordim u arrit që të vazhdohet me diplomaci fluturuese të përfaqësuesve evropiano-amerikanë në Prishtinë dhe Beograd.

Emisari Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, gjatë kësaj jave takoi kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Propozim-Marrëveshjes që në fund duhet të përbëjnë një dokument të njësuar.

Ndërkaq, edhe emisari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të qëndrojë në Kosovë dhe Serbi gjatë kësaj jave për të mbështetur procesin e dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Diplomatët perëndimorë shpresojnë që të arrihet përparim në takimin e 18 marsit në Ohër disa ditë para se shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të raportojë në Këshillin Evropian për rrjedhën e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore