Kosova

Profesori britanik: Kosova kishte vetëm dy zgjidhje – ripërcaktim të kufijve me Serbinë ose autonomi për serbët në Kosovë


James Ker-Lindsay

James Ker-Lindsay, profesor në London School of Economics, tha në një prononcim për Tëvë1 se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është dukshëm shumë më i mirë nëse krahasohet me ato të kaluarat.

“Por, ajo që më shqetëson më së shumti është mënyra se si do të zbatohet ky plan, pra palëve duhet t’iu caktohet një kohë për implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Nëse nuk zbatohen këto marrëveshje atëherë është e sigurt se do të ketë sërish kriza”, tha Lindsay.

Në këtë kontekst, profesori britanik pohoi se Kosova përgjatë viteve të fundit e ka gjetur vetën përballë dy zgjidhjeve, ose ajo e shkëmbimit të territoreve apo ripërcaktimit të kufijve etnikë ose autonomi për komunitetin serb në Kosovë.

“Në këtë situatë në të cilën është Kosova duhet ta pranoj një formë autonomie për komunitetin serb, dhe kjo nuk nënkupton në asnjë mënyrë bosnjëzim. Disa njerëz me qëllim po synojnë të dezinformojnë për këtë gjë duke krijuar panik për publikun”.

Edhe pse komuniteti ndërkombëtar në vazhdimësi ka dhënë garanca se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk është i barasvlefshëm me “Republikën Serbe” në Bosnje e Hercegovinë, autoritetet kosovare thonë të kundërtën.

Prandaj, për profesorin britanik, kundërshtimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, përveç që është i pakuptimtë, tregon se ata nuk e kuptojnë që krijimi i një strukture të re vetëqeverisëse për serbët e Kosovës, nuk mund të paraqitet si Republika Serbe.

“Duhet ta kuptoni se nuk do të jetë një Republike Serbe brenda Kosovës. Ka shumë modele të autonomisë që nuk ngjasojnë më Republikën Serbe në Bosnje. E nëse me pyesni se si do e zgjidhja këtë çështje atëherë do të ishte shkëmbimi i territoreve, kjo për mua është do të ishte zgjidhja më e logjikshme”, përfundoi ai.

Ndryshe, emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, të enjten dhe të premten do të qëndrojë në Prishtinë për takime me liderë të institucioneve të Kosovës, por edhe me përfaqësues të opozitës.

Në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Marrëveshja do të përmbajë edhe një Aneks që synon të sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave të saj. Aneksi ka mbetur që të negociohet. Në momentin që ka pajtim për Aneksin, i gjithë instrumenti, Preambula, 11 nenet dhe dispozitat për implementimin mund të nënshkruhen.

Çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, derisa më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët duhet të pajtohen me krejt çfarë u është kërkuar nga BE-ja dhe SHBA-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore