Lajme

Profesori britanik: Disa qëllimisht po përpiqen ta prezantojnë Asocaicionin si një “Republika Srpska”


James Ker-Lindsay

Edhe pse komuniteti ndërkombëtar në vazhdimësi ka dhënë garanca se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk është e barasvlershme me “Republikën Srpska” në Bosnje e Hercegovinë, për Albin Kurtin, kryeministrin e Kosovës, formimi i Asociacionit nuk është asgjë tjetër përveç bosnjëzimit të Kosovës.

Sipas shefit të qeverisë, “Republika Srpska” në Bosnje kishte nisur si një “Zajednicë” komunash.

“Kurrë nuk ka qenë më e diskutueshme gjithandej nëse ia kanë vlejtur komunat mbi baza etnike, prandaj Beogradi zyrtar me kaq nervozë kërkon asociacion të tyre. Si zajednicë komunash pat nisur edhe Republika Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë. Jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës, por jam i bindur që mu këtë e donë Serbia”, ka thënë Kurti pas homazheve që bëri te ish-aktivistët e Vetëvendosjes, Mon Balaj e Arben Xheladini që u vranë më 10 qershor të vitit 2007.

Me tezën e Kurtit lidhur me Asociacioni nuk pajtohet assesi profesori në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër dhe një ekspert i njohur i konflikteve etnike me ekspertizë në Evropën Juglindore, James Ker-Lindsay.

Një nga turpet më të mëdha të politikës ballkanike, thotë profesori anglez, është se çdo gjë po shikohet nga prizmi i Bosnjës.

“Tani kemi njerëz që thonë se Asociacioni nuk mund të pranohet në Kosovë sepse do të jetë një Republika Serbe. Jo nuk është. Ka shumë modele të autonomisë në botë. Republika Srpska është një version, megjithëse një version shumë i veçantë që unë pranoj se është destabilizues, por askush nuk po propozon një përsëritje të tij”, argumenton ai për portalin e lajmeve European Western Balkans.

Sipas tij ka njerëz që qëllimisht po përpiqen ta prezantojnë Asocaiconin si një Republika Srpska.

“Ata e dinë mirë se autonomia ka shumë forma dhe se Republika Srpska është një formë e pazakontë e krijuar në një kohë shumë të ndryshme dhe në rrethana krejtësisht të ndryshme. Por, ata duan ta shtyjnë këtë mesazh, për çfarëdo arsye. Është e padobishme dhe pengon përpjekjet për të zgjidhur një problem serioz që, pasi të trajtohet, do të lërë më shumë hapësirë për t’u marrë me Bosnjën”, shton ai.

Në rastin e Kosovës dhe Asociacionit, beson Lindsay, askush nuk thotë, “le të formojmë një Asociacion dhe t’i japim të drejtën e vetos në pushtetin qendror, kështu që kreu i Asociacionit të bëhet bashkëkryetar i Kosovës dhe që Asociacioni të ketë mundësi për të vënë veton ndaj politikës së jashtme të Kosovës”.

“Askush nuk po e propozon këtë, dhe megjithatë njerëzit mendojnë se çdo marrëveshje do të jetë si Republika Srpska”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore