Shqipëria

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike ulet me 0,1% në tremujorin e tretë të vitit 2022


Energjia elektrike në dispozicion, përgjatë tremujorit të tretë të vitit 2022, u ul me 8,9 për qind.

Sipas INSTAT-it, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u ul me 0,1 për qind duke arritur vlerën 1.371 GWh energji të prodhuar.

Prodhimi u realizua nga hidrocentralet publike në masën 74,8 për qind, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 23,7 për qind.

Si dhe nga të tjerë prodhues në masën 1,5 për qind të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Energji në dispozicion, prodhimi neto vendas, importi dhe eksporti bruto

Për tremujorin e tretë të vitit 2022, importi bruto i energjisë elektrike arriti vlerën 1.142 GWh nga 975 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje me 17,1 për qind.

Kurse eksporti bruto i energjisë elektrike arriti vlerën 670 GWh nga 323 GWh, duke shënuar një rritje me 2,1 herë.

Sakaq, hidrocentralet publike prodhuan 1.026 GWh nga 1.047 GWh të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2021, duke shënuar një rënie të prodhimit me 2,0 për qind.

Ndërsa hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 324 GWh nga 311 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 4,2 për qind.

Shkëmbimi i energjisë elektrike, në tremujorin e tretë të vitit 2022, ka arritur vlerën negative prej 472 GWh krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2021 ku kishte një vlerë negative prej 651 GWh.

Shkëmbimi i energjisë elektrike

Referuar të dhënave të INSTAT-it, humbjet në rrjet arritën vlerën 328 GWh nga 343 GWh duke shënuar një rënie me 4,5 për qind.

Po ashtu humbjet në shpërndarje kanë rënë me 5,8 për qind, duke arritur vlerën 281 GWh.

Humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar një rritje me 0,9 për qind, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 19,6 për qind.

Për po të njëjtin tremujor, përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, u ul me 9,8 për qind duke arritur vlerën 1.514 GWh nga 1.679 GWh që ishte në tremujorin e tretë të vitit 2021.

Ndikimin në uljen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, ku ka një rënie të konsumit të energjisë elektrike me 16,8 për qind.

Kurse konsumi nga konsumatorët familjarë nuk ka patur ndikim në këtë rënie pasi sasia e konsumuar në tremujorin e tretë të të dy viteve ka qenë 696 GWh.

Konsumi i energjisë elektrike, humbjet në rrjet dhe përdorimi nga konsumatorët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore