Shqipëria

Privatizimi i kompleksit “Partizani”, për çfarë e akuzon SPAK dyshen Berisha-Malltezi


Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) do të zbulonte përmes një njoftimi zyrtar detajet hetimore lidhur me privatizimin e ish-kompleksit të klubit Partizani.

Në mesin e të akuzuarve ishin ish-kryeministri Sali Berisha me veprimet e tij konkrete për të bërë që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të përfitonte nga kjo skemë e parregullt.

Më saktë, objekti i hetimit të këtij procedimi penal, sipas SPAK-ut, ishin veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportësh Partizani”.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka konsumuar veprën penale të ‘Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë’, e kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

SPAK shton se Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dyshohet se ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore.

Kjo, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte Jamarbër Malltezi.

Berisha, dyshohet madje se ka kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të Jamarbër Malltezit, vijon SPAK-u.

Sipas Prokurorisë, Berisha dyshohet se ka kryer po ashtu veprime aktive në vendosjen në dispozicion të Malltezit, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

Përfitimet e Malltezit

Malltezi, në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së kryeministrit, ka përfituar materialisht nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, shkruan Prokuroria.

“Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi Jamarbër Malltezi”, saktëson SPAK.

Fitimet e Malltezit në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, llogariten në total në shumën 5 milionë e 420 mijë e 345 euro.

Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Sali Berisha, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish kryeministrit, për të marrë përfitimet e parregullta, theksoi SPAK.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë (GJKKO) ka vendosur të premten e 20 tetorit masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për 16 pasuri të paluajtshme në pronësi të Malltezit.

Ndër të tjera, GJKKO-ja ka vendosur nën sekuestro preventive edhe gjashtë llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek) në emër të tij, si dhe kuotat e kapitalit themeltar në shoqëritë “Homeplan” shpk (45 për qind e kuotave), “Magnet IMO” shpk (100 për qind e kuotave) dhe “Magnet Gym&Fi” (60 për qind e kuotave).

GJKKO

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) publikoi më herët vendimin për caktimin e masave ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

Për Malltezin, GJKKO-ja ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues “arrest ne burg”.

Ai dyshohet për kryerjen e veprave petale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj ish-kryeministrit masën e sigurimit personal shtrëngues “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Për Berishën, GJKKO-ja ka caktuar dhe “Ndalimin e daljes jashtë shtetit parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale”, si person nën hetim.

Ish-kryeministri dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal”.

Për ndërtuesin Fatmir Bektashi, ortaku i Malltezit, është caktuar masa e sigurimit personal shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit parashikuar nga neni 233 IK.Pr.Penale”.

Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendore”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Ndërtimi i ngjarjes

Strukturat e Posaçme Anti-Korrupsion duke përfshirë Prokurorinë (SPAK), Gjykatën (GJKKO) dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) u vunë në aksion të shtunën e 21 tetorit për të arrestuar dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi.

Ky aksion hetimor dhe policor ishte ndër më të bujshmit e strukturave të themeluara dhe të financuara nga autoritetet amerikane që prej krijimit të tyre.

Ndalimi i Malltezit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” u ekzekutua nga agjentët e BKH-së pasi GJKKO-ja kishte caktuar masën “arrest me burg” të kërkuar më herët nga prokurorët e SPAK-ut, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

Pas disa orësh në komisariatin e Rinasit, Malltezi u shoqërua nga forcat e policisë në ambientet e bllokut të sigurimit në rrugën ‘Mine Peza” në Tiranë ku pritet të qëndrojë derisa të dalë para GJKKO-s për rivlerësim të masës së sigurisë.

Dënim i mundshëm

Neni 260 i Kodit Penal thotë se:

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.

Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet:

a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;

b) fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;

c) fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;

ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave;

d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;

dh) këshillimit, ndihmës, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër;

– dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Reagimet

Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Sali Berisha hodhi akuza politike ndaj kryeministrit Edi Rama.

“Zgjedhësit sot ndihen më Sali Berishë se kurrë. As kufizimi im për të lëvizur në Evropë nuk mund të ndodhë pa miratimin e komisioneve përkatëse parlamentare. Prokuroria seksion i PS-së, mund të marrë çdo vendim”.

Sipas Berishës, akuzat ndaj tij dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, sa i takon privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” janë “absolutisht të pabaza”.

“Asnjë veprim nuk do të ndalojë qëndresën dhe betejën pa kthim të opozitës”.

Berisha pranoi se ndaj tij është ngritur akuza për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Sa i takon masës ndaj dhëndrit të tij, Berisha thotë se Malltezi, nuk është thirrur kurrë nga asnjë prokuror apo gjykatës.

“Ndërsa dhëndri im është ndaluar sot në aeroport tek priste të shoqen që kthehej nga jashtë. U ndalua pa u marrë kurrë në pyetje nga asnjë prokuror apo gjykatës. Akuzat janë pa bazë dhe sulme të ulëta të mirëfillta politike të Edi Ramës dhe jo vetëm atij”.

Ish-kryeministri shtoi se “Klubi Partizani, nuk është nxjerrë nga plani i përhapjes së FA me propozim e Sali Berishës, as me firmën e Bamir Topit, por nga presidentë të tjerë para Topit”.

“Destinacioni i klubit, në truall për ndërtime është ndryshuar me firmën e Edi Ramës dhe pa propozimin e Berishës. Privatizimi i objekteve të klubit Partizani është nisur nga qeveria e Fatos Nanos”.

Show politik

Pasi efektivët e policisë i komunikuan masën e sigurisë detyrim paraqitje Sali Berishës për aferën e ish-kompleksit Partizani, Oerd Bylykbashi e quan këtë një “show politik”.

Sipas tij SPAK dhe GJKKO-ja kanë shkelur Kushtetutën duke i kufizuar lirinë një deputeti.

“SPAK dërgon Policinë e Shtetit, e cila në fakt është organ i zbatimit të ligjit dhe jo i urdhrave politikë të Edi Ramës, dërgon Policinë e Shtetit duke kërkuar ekzekutimin e një mase që kufizon lirinë e një deputeti të republikës, zotit Sali Berisha, deputet i Parlamentit të Shqipërisë, kryetar i PD”, u shpreh fillimisht ai.

Bylykbashi kujtoi se tashmë është praktikë e konsoliduar e Parlamentit të Shqipërisë se prokuroria duhet të kërkojë leje nga Kuvendi, i cili duhet të japë autorizimin jo vetëm për arrestin, por dhe çdo lloj mase tjetër kufizimi të lirisë të çdo shtetasi shqiptar, që është deputet.

“Neni 38 i Kushtetutës përcakton lirinë absolute, të cenueshme vetëm nëpërmjet një vendimi gjykate, të shtetasve shqiptare, të lëvizin të lirë në çdo pjesë të territorit të Shqipërisë. Urdhri për detyrim paraqitje të deputetit Sali Berisha kufizon pikërisht këtë liri kushtetuese”, theksoi përfaqësuesi demokrat.

Sigurisht nëse do kishim një vendim gjykate për një shtetas të zakonshëm, kjo do ishte e mjaftueshme, por neni 73 i Kushtetutës, detyron që në rast të arrestit apo të çdo lloj kufizimi në çdo formë të lirisë së një deputeti, duhet të kërkohet paraprakisht miratimi i parlamentit, shtoi Bylykbashi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore