Lajme

Prishtina do të bëhet me sallë të re sportive


Salla e Sportit në Prishtinë

Një sallë e re sportive, së shpejti do të ndërtohet në lagjen Kalabria, në kryeqytet.

Zyra për media nga Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se janë fitues të një konkursi ndërkombëtar për dizajnimin e sallës sportive, e cila do të ndërtohet afër stacionit të autobusëve.

“Kjo sallë do të shfrytëzohet nga të gjithë qytetarët e Prishtinës e gjithsesi edhe nga ata të Kalabrisë, në veçanti nga Klubet e kryeqytetit por edhe nga Klubet e Kosovës të Sporteve me dorë për gara Ndërkombëtare”, ka deklaruar zyra për medie në Komunën e Prishtinës, për Albanian Post.

Po ashtu, përzgjedhja e këtij projekti është bërë me konkurs të hapur ndërkombëtarë, ku Komuna e Prishtinës, ka planifikuar të ndajë buxhet prej pesë milion eurosh.

“Tashmë jemi në fazën e përfundimit të specifikacioneve të projektit dhe shpresojmë se shumë shpejtë do të fillojmë me implementimin e saj që do të jetë fundi I vitit 2021 apo fillimi i vitit 2022”, thuhet më tej nga Komuna e Prishtinës.

Ky projekt parashihet të përfundoj në afat kohor prej dy viteve dhe se deri në këtë fazë nuk ka bashkë investues.

Gjithashtu, bëhet e ditur se objekti, “gjithsesi se do të ketë të punësuar të rregullt të cilët do të planifikohen në fazat kur përafrohet projekti”, përfundon zyra për medie në Komunën e Prishtinës për AP.

Bekim Ramku, i cili është një ndër arkitektët të cilët hartuan këtë projekt, thotë se ideja është dizajnuar dhe projektuar me shumë përkushtim, deri në detaje.

“Projekti është dizajnuar sipas udhëzuesve të fiba’s, nga dy kompani arkitektonike “Enota” nga Ljubljana dhe “OUD+Architects” nga Prishtina”, ka deklaruar Ramku në një intervistë për Albanian Post.

“Kapaciteti i saj është 3 mijë e 500 ulëse por, gjithsej 5 mijë ulëse nëse përdoren ato në trapez, kurse në rast të eventeve sikurse koncerte, kapaciteti është për 8 mijë persona”.

Ai ka bërë të ditur se ky objekt do të ndërtohet para stacionit të autobusëve në Prishtinë, ku mendohet hollësisht për vizurat e këtij objekti.

“Si pjesë e kompleksit të sallës është edhe garazhe nëntokësore që është paraparë me planin e mobilitetit “park and ride” me kapacitet prej 470 parkingjeve”.

Ramku, madje tregon se objekti i stacionit të autobusëve është mëndu që të konservohet dhe të kthehet në pamje burimore, duke i shtuar panele solare.

“Kulmi është i shfrytëzueshëm sikurse amfiteatër dhe sikurse te gjitha hapësirat e kompleksit është 100 për qind i qasshëm për persona me aftësi të kufizuara (karroca)”, është shprehur ai për AP.

Gjithashtu, ky projekt përpos që do të posedojë hapësira sportive do të ketë edhe hapësira komerciale te brendshme dhe jashtme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore