Lajme

Prifti pedofil i ‘mega-kishës’ meksikane dënohet me burg


Emri i tij është Naason Joaquin Garcia. Ai është lider shpirtëror i një kishe në La Luz del Mundo në Meksikë dhe së fundmi ka zënë të gjitha faqet e gazetave kryesore botërore, sepse ka marrë një dënim prej 16 vjetësh e tetë muajsh burg, pas akuzave se ka abuzuar me fëmijë të mitur.

Rastet e priftërinjve që shfrytëzojnë pozitën e tyre për të kënaqur fantazitë seksuale me vajza e djem të mitur nuk është i pari. Madje, ata janë të shumtë e mediatike në shumicën e rasteve.

Mirëpo rasti i Garcias në Meksikë, është tërësisht jashtë çdo parametri mendimi.

Kisha ku ai operonte, La Luz del Mundo, u themelua në vitin 1926 në Meksikë nga babai i tij, Eusebio Joaquin Gonzales.

Influenca e kësaj rryme të re filloi të forcohej me kohën dhe vitet e fundit, fitoi shumë popullaritet edhe në California të SHBA-ve, ku ka një komunitet të madh me popullsi hispanike.

Në vitin 2019, Garcia u arrestua së bashku me dy prej ndjekëseve të kultit të tij, pasi u ul në një aeroport në California me avionin e tij privat.

Akuzat, ishin sa të papritura, aq edhe të qarta për Garcian: 19 raste abuzimi me të miturit.

Kjo mund ta çonte atë të merrte një dënim marramendës në vite, nëse akuzat vërtetoheshin. Mirëpo, këtë të premte, Garcia bëri një mea culpa.

Dy akuza për konsumim të aktivitetit seksual oral me dy vajza dhe një i konsumimit të aktit seksual me një vajzë 15-vjeçare. Këto ishin ato çfarë “apostoli” i vetëshpallur pranoi.

Çështja u pushua dhe dënimi ndaj tij mbeti në 16 vjet e tetë muaj.

Megjithatë nga ana tjetër, me pushimin e çështjes, Garcia i shpëton akuzave shumë më të rënda, të cilat ishin në proces. Ai akuzohej drejtpërdrejt për përdhunime e madje edhe trafikime të vajza të mitura.

Akuza këto, të cilat vështirë se arrijnë të provohen tashmë, me çështjen e pushuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore