Lajme

Pretendohet se një zyrtar i lartë saudit ka kërcënuar reporteren e OKB-së


Një zyrtar i lartë saudit pretendohet se ka kërcënuar me jetë hetuesen e pavarur të Kombeve të Bashkuara (OKB), Agnès Callamard, pas hetimit mbi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Ekspertja franceze e të drejtave të njeriut, Callamard, e cila këtë muaj do të marrë postin e saj të ri si sekretare e Përgjithshme e Amnesty International, ishte zyrtarja e parë që publikoi një raport të hollësishëm mbi vrasjen e kritikut të qeverisë saudite në 2018-ën.

Në një intervistë për The Guardian, raportuesja tha se, në janar të vitit 2020, gjatë një takimi të OKB-së në Gjenevë, një koleg e paralajmëroi se, nëse nuk do të ndalej, një zyrtar i lartë saudit “do të kujdesej vetë” për reporteren.

E pyetur sesi u perceptua komenti nga kolegët e saj, Callamard tha: “Një kërcënim me vdekje. Kështu u kuptua”.

Raporti prej 100-faqesh i Callamardit, që u botua në qershor të 2019-ës, nxori në dritë se kishte “prova të besueshme” për princin e kurorës saudite, Mohammed bin Salman (MBS), dhe zyrtarë të tjerë të lartë sauditë, që ishin përgjegjës për vrasjen. Ajo e quajti vrasjen një “krim ndërkombëtar”.

Administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, që nga ajo kohë ka publikuar raportin e saj, duke arritur në përfundim se MBS kishte miratuar vrasjen.

Qeveria Saudite e ka mohuar pretendimin se vrasja, e ndodhur në konsullatën Saudite në Stamboll, u urdhërua nga mbreti i ardhshëm.

Qeveria në Arabinë Saudite nuk u është përgjigjur kërkesave, të cilat The Guardian i dërgoi Ministrisë së Jashtme Saudite, Ambasadës Saudite në Londër dhe Ambasadës Saudite në Uashington.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore