Lajme

Presidentja Osmani udhëton drejt Gjermanisë – takohet me Steinmeier dhe Maas


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Gjermani.

Sipas njoftimit të presidencës, kjo vizitë vjen pas ftesës së presidentit të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier ka udhëtuar për vizitë zyrtare dyditore në këtë shtet. Gjatë vizitës në Gjermani, Presidentja Osmani, përveç takimit me homologun Steinmeier, do të takohet edhe me ministrin e jashtëm Heiko Maas”, thuhet në njoftim.

“Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani, gjithashtu do të realizojë takime edhe me Odën e bizneseve gjermane, Rrjetin për Politikë të Jashtme (DGAP) dhe përfaqësues të mërgatës”.

Ndërkaq në Universitetin Humboldt, Presidentja Osmani do ta mbajë një ligjërate me temën “Shtetndërtimi dhe procesi i transformimit, prioritetet dhe sfidat”.

Të hënën, Osmani, është takuar me liderët e partive politike për të disktuar për mundësinë e zgjedhjeve lokale.

Por sipas saj, në mungesë të pajtueshmërisë mes tyre, data e zgjedhjeve komunale do të mbetet 17 tetori.

“Mënyra e vetme për të shtyrë zgjedhjet është arritja e një pajtimi në pushtet dhe opozitë”, tha Osmani para mediave.

“Para se të thirrja takimin kam kërkuar analizë nga IKSHPK-ja lidhur me procesin zgjedhor. Është rekomanduar nga Instituti të bëhet shtyrja e procesit zgjedhor. Ky nuk është vlerësimi i vetëm që ne kemi kërkuar nga Instituti, një vlerësim i tillë është kërkuar edhe për fillimin e shkollave dhe kemi marrë përgjigjen e institutit për atë çështje”.

Osmani ka theksuar se “unë e respektoj qëndrimin e partive politike, por nuk pajtoj me ta”.

“Shtyrja më e madhe e zgjedhje do të ishte më së shumti deri në dy muaj, kjo për t’iu dhënë afat stafit shëndetësor ta fus në kontroll situatën”.

Takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me krerët e partive politike të hënën

Në anën tjetër, liderët e partive opozitare kanë thënë se nuk janë pajtuar me Kurtin që të shtyhen zgjedhjet, por janë pro shkurtimit të fushatës zgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore