Lajme

Presidentja Osmani dhe ministri Vitia bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë masat anti COVID


Pas marrjes së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, bashkë me Ministrin e Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, kanë vizituar Qendrën e Vaksinimit në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë.

Osmani ka thënë se është shumë e rëndësishme që përkundër faktit që ka filluar procesi i vaksinimit “duhet të vazhdohet respektimi i të gjitha masave deri në momentin ku të gjithë qytetarët të kenë mundësi të vaksinohen”.

“Dua të inkurajoj të gjithë që të kryejnë procesin e vaksinimit. Për fat të keq numri i vdekjeve dhe i rasteve të infektimit është i madh, vala e tretë ka përfshirë gjithë botën, prandaj duhet një kujdes më i madh nga secili prej nesh, që në radhë të parë ta mbrojmë veten dhe ta mbrojmë njëri-tjetrin”, u shpreh presidentja Osmani.

Ajo tutje tregoi se “bashkë me qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë janë duke punuar që të sigurojnë edhe kontingjentet e ardhshme të vaksinave anti-COVID”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, që ka shoqëruar Presidenten Osmani në këtë qendër, ka njoftuar se deri më tani janë vaksinuar mbi 3 mijë e 100 pjesëtarë të personelit shëndetësor.

“Nga data tetë dhe nëntë të këtij muaji do të fillojë vaksinimi i personave mbi moshën 80-vjeçare. Procesi është duke shkuar jashtëzakonisht mirë. Është duke u bërë shpërndarja edhe nëpër komunat respektive dhe qendrat e vaksinimit edhe nëpër këto komuna po vazhdojnë njësoj që të bëjnë vaksinimin e personelit shëndetësor, të stafit të tyre, nëpër komunat përkatëse”, ka thënë Vitia.

Ndërsa në lidhje me informatën për një kanosje në spitalet e vendit, gjë të cilën e bëri të ditur Policia e Kosovës, ministri Vitia ka thënë se spitalet janë të sigurta.

“Pacientët janë të sigurt, ne bashkë me bordin dhe drejtorin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, kemi pasur takim, ku kemi diskutuar që përcjellja e familjarëve nëpër spitale nuk duhet të jetë më shumë se një”, ka thënë Vitia.

Tutje ai shtoi se “janë marrë masat që institucioni shëndetësor të mos jetë shpërndarës i virusit”.

Ndërkohë një person në mëngjesin e së martës ka dërguar një email në Policinë e Kosovës duke shkruar se do ta sulmojë dikë në njërin nga spitalet e Kosovës.

Kjo ka bërë që Njësia Speciale e Policisë së Kosovës t’i shtojë kontrollet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por edhe në spitalet regjionale.

“Policia u kontaktua nga një person i cili kërcënoi të sulmonte dikë në spital, por pasi që ky person nuk tregoi se kush ishte dhe në cilin qytet do të kryente sulmin, Policia, për arsye parandaluese, po siguron spitalet në të gjithë Kosovën derisa të zbulojmë më shumë informacion”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore