Lajme

Presidentja e KE-së të enjten viziton Kosovën


Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, do t’i vizitojë vendet e Ballkanit Perëndimor këtë javë, derisa të enjten do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, raporton hina.hr.

Von der Leyen e nis turneun e saj të mërkurën në Maqedoninë e Veriut, të enjten do të vizitojë Kosovën dhe Shqipërinë, të premten Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbinë. Turneu përfundon të shtunën me një vizitë në Mal të Zi.

“Qëllimi i turneut është të theksojë rëndësinë që BE i kushton marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor dhe perspektivës evropiane të asaj zone”, tha zëdhënësi i Komisionit Eric Mamer.

Sipas tij, gjatë vizitës, Von der Leyen do të shprehë solidaritetin me vendet në rajon dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në përballjen e sfidave të përbashkëta, duke përfshirë edhe në dritën e agresionit rus në Ukrainë.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel njoftoi të dielën se më 6 dhjetor në Tiranë do të mbahet një samit i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për njëri-tjetrin”, shkroi Michel në Twitter.

Samiti i radhës BE-Ballkan mbahet në Tiranë më 6 dhjetor

Samiti vjen në vazhdën e thirrjeve të njëpasnjëshme nga ana e strukturave të parlamentarizmit evropian, ku e fundit ka qenë ajo e 20 tetorit, me në thelb prioritetin gjeostrategjik të anëtarësimit në komunitetin evropian të gjashtëshes ballkanike.

Ky ka qenë edhe qëndrimi i shumicës së deputetëve të Parlamentit Evropian (PE) disa ditë më parë, në debatin për marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor.

Sipas tyre, nëse unioni nuk vepron në përputhje me faktin e lartpërmendur aktorët e tretë si Rusia, Kina dhe Turqia do të shfrytëzojnë mundësinë për të plotësuar hapësirat dhe për të rritur ndikimin e tyre në rajon.

Deputetët kryesisht ranë dakord se blloku duhet të shtojë përpjekjet e tij në përmbushjen e premtimeve ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo, në mënyrë që të tregojë se e ardhmja e tyre evropiane është ende në horizont.

Sipas deklaratave, deputetët ndanë një perceptim pozitiv për momentin e ri të politikës së zgjerimit, sepse ai do t’i lejojë BE-së të rivendosë besueshmërinë e saj midis partnerëve të Ballkanit Perëndimor.

Ky i fundit nisi të dobësohej si rezultat i procesit të tyre të ngadaltë dhe jokonsistent të pranimit.

Megjithatë, vendet duhet të vazhdojnë të demonstrojnë përkushtimin e tyre ndaj procesit të anëtarësimit duke zbatuar reforma dhe në rastin e një vendi në veçanti duke u përafruar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP).

Dështimi i Serbisë për të miratuar sanksionet kundër Rusisë dhe për të harmonizuar politikën e saj të jashtme në lidhje me luftën në Ukrainë me BE-në ishte një nga temat kryesore të debatit.

Çështjet më të diskutuara përfshinin gjithashtu nisjen e procesit të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, rekomandimin e statusit të kandidatit për Bosnje-Hercegovinën dhe procesin e liberalizimit të vizave të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore