Lajme

Presidenti meksikan i ofron mbrojtje gazetares pas kërcënimit me vdekje


Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, të martën e 10 gushtit u zotua se do të mbrojë një gazetare të shquar pas kërcënimeve me jetë nga një kartel i fuqishëm droge.

Ai tha se ishte krijuar një skemë mbrojtjeje për Azucena Uresti.

Uresti është bërë e njohur në Meksikë si spikere televizive në rrjetin e lajmeve “Milenio”.

Gazetarja meksikane u kërcënua nëpërmjet një video-mesazhi, të dërguar në emër të Kartelit të Gjeneratës së Re “Jalisco”.

Në video shfaqet një burrë i maskuar, rrethuar nga persona të armatosur po të maskuar, teksa ​​akuzon Urestin se tregoi njëanshmëri në mbulimin mediatik.

Kjo, në favor të të ashtuquajturave grupeve të vetëmbrojtjes që luftonin me bandën në shtetin Michoacan.

Lopez Obrador, i cili është kritikues i shpeshtë i mediave që i konsideron si “armiqësore” ndaj administratës së tij, kësaj radhe shprehu “solidaritet” me Urestin gjatë konferencës së tij të rregullt të shtypit në mëngjes.

“Unë i dënoj plotësisht këto kërcënime”, tha ai, duke shtuar se sjellja e bandës nuk do të tolerohet.

Më tej, gazetarja hodhi poshtë akuzat e bandës dhe falënderoi në Twitter presidentin Lopez Obrador në emër të “të gjithë kolegëve që janë ngacmuar, kërcënuar dhe vrarë në këtë vend”.

Meksika është një nga vendet më të rrezikshme në botë për profesionistët e mediave, sipas grupeve të dedikuara për mbrojtjen e tyre.

Në fund të vitit të kaluar, një zyrtar i lartë qeveritar tha se gati 140 gazetarë ishin vrarë që nga viti 2010.

Marrë nga Reuters, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore