Sport

Presidenti i FSHF-së, Duka, mesazh mbështetjeje Elseid Hysajt


Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysaj, ka qenë në qendër të sulmeve nga ana e tifozërisë ultrase të Lazio-s, pasi këndoi këngën “Bella Ciao” në prezantimin përpara lojtarëve të tjerë.

Hysaj u prezantua pak ditë më parë te Lazio, si një lojtar që preferohet nga trajneri i ri, Maurizio Sarri.

Ai këndoi këngën e famshme “Bella Ciao”, që është bërë hit ndërkombëtar falë serialit “La Casa de Papel”, por ajo është një këngë partizane italiane dhe bie ndesh me ultrasit e Lazio-s, që në shtetin fqinj njihen për pikëpamjet e tyre fashiste.

Armand Duka, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), ka reaguar në lidhje me ngjarjen, ku Hysaj është vënë në qendër të sulmeve nga ultrasit.

“Ti je dhe do të mbetesh jo vetëm një futbollist i mrekullueshëm, por edhe një personalitet i botës së futbollit”, shkruan Duka në Facebook.

“Fakti që ke kënduar një këngë, as e cenon e as i jep të drejtë askujt që të vërë në dyshim personalitetin tënd”.

“Jam i vetëdijshëm se vlerat e tua do të triumfojnë përballë dhunës verbale e ideologjike, që nuk kanë asnjë lidhje me futbollin dhe vlerat e këtij sporti magjik”.

“Vazhdo puno e stërvitu, jep më të mirën tënde siç ke bërë gjithmonë. Ne të gjithë të duam e të mbështesim”, përfundoi mesazhi i kreut të FSHF për mbrojtësin nga Shkodra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore