Shqipëria

Presidenti Begaj pret homologen hungareze: Mirënjohje për mbështetjen në procesin e integrimit evropian


Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj ka pritur këtë të enjte të 1 qershorit Presidenten e Hungarisë Katalin Novak.

Në qendër të bisedës mes dy homologëve ishte bashkëpunimi dypalësh, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian i Shqipërisë dhe zhvillimet aktuale në rajon.

Presidenti Begaj i shprehu mirënjohje Novak për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

“I shpreha keqardhjen Presidentes Novak, për ushtarët hungarezë të lënduar në Veri të Kosovës. Vlerësova marrëdhëniet shumë të mira, historike e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve. Heronjtë kombëtarë të dy vendeve tona, Skënderbeu dhe Huniadi, hodhën bazat e një partneriteti strategjik”, tha Begaj.

Sipas tij, falë vizionit të përbashkët euroatlantik, marrëdhëniet politike dypalëshe janë forcuar edhe më shumë.

“Dy vendet tona janë aleate në NATO dhe bashkëpunojnë ngushtë në kuadër të procesit të integrimit në BE të Shqipërisë”, deklaroi Begaj.

Ai shtoi po ashtu se një vëmendje shumë të veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik e tregtar.

“Vlerësova interesin në rritje të bizneseve hungareze për të investuar në Shqipëri. Kërkova ndihmën e Presidentes Novak, për ta inkurajuar më shumë biznesin hungarez të orientohet drejt tregut shqiptar. Mundësitë janë shumë të mëdha”, tha Kreu i Shtetit.

Gjithashtu Begaj deklaroi se ka rëndësi shumë të madhe mbështetja e dialogut, si dhe mbështetja e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe në KiE.

“Mirënjohje për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Vlerësova angazhimin e madh të Hungarisë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe kontributin e gjatë me trupa ushtarake në Kosovë, në kuadër të KFOR-it”, tha ai.

“Për ne ka rëndësi shumë të madhe mbështetja e dialogut, si dhe mbështetja e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe në KiE. Vlerësuam dhe bashkëpunimin shumë të mirë në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Hungaria mbështeti kandidaturën e Shqipërisë për të qenë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, shtoi Begaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore