Zgjedhjet në Kosovë

Premtimet e Vetëvendosjes “pa ryshfet e haraç”


Me sloganin “Krejt dhe Drejt”, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po synon të arrijë fitore dhe Vetëvendosja të dalë si partia e parë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

VV të mërkurën ka shpalosur programin për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kryeprioritet i Lëvizjes është zhvillimi i ekonomisë.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se e ardhmja e bizneseve kosovare është “pa ryshfet në fillim e pa haraç në fitim”.

Kurti ka përsëritur premtimin se LVV do të krijojë Fondin Sovran dhe Bankën Zhvillimore të Republikës së Kosovës, ku Fondi do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës.

“Synojmë një ekonomi ku ka më shumë prodhim e eksport, një ekonomi pa monopole”, ka thënë Kurti.

Në radhë të dytë të prioriteteve, Kurti e ka vendosur procesin e Vetingut në drejtësi nëpërmjet të cilit synohet të arrihet integriteti gjyqësor dhe prokurorial.

“Do të hartojmë projektligjin për realizimin e të drejtave civile, me anë të së cilit synohet shkurtimi i afateve procedurale për zgjidhjen e kontesteve civile”, ka thënë Kurti.

Qeveria Kurti premton përkushtim ndaj krimit të luftës së organizuar, e cila do të mundësohet përmes mbështetjes financiare për sistemin e drejtësisë me qëllim të plotësimit të nevojave të qytetarëve.

Me Kurtin në Qeveri, prioritet do të jetë përkrahja ndaj grave, qoftë përmes rritjes së pjesëmarrjes së tyre në fuqinë punëtore ashtu edhe përmes mbështetjes aktive të tyre në ndërmarrësi. Rritja e numrit të bizneseve në pronësi të grave është parakusht për fuqizimin e ekonomisë.

“Do të krijojmë më shumë hapësirë për gratë që të kyçen në tregun e punës”, ka shtuar ai.

Po ashtu ,prioriteti kryesor i LVV-së, është edhe arsimi. “Përfshirja sa më e madhe e fëmijëve në edukimin e hershëm, do të arrihet duke ndërtuar objekte të reja”, ka thënë Kurti gjatë shpalosjes së programit qeverisës.

Në qeverisjen Kurti, “studentët do të lirohen nga pagesa e semestrit, buxhetimi i bursave studentore do të avancohet si dhe do të shpërndahen 1 mijë bursa studentore për vajzat qe zgjedhin të studiojnë shkencat teknike e natyrore”.

“Ne jemi për arsim publik falas”, ka thënë Kurti.

Ndër prioritetet tjera kryesore të këtij subjekti politik është edhe përmirësimi në sektorin e shëndetësisë.

Kurti premton që do të përmbushet dhe do të realizohet funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore publike.

“Do ta ndërtojmë sistemin shëndetësor me standarde të vendosura qartë dhe monitorim te vazhdueshëm që eliminojnë pabarazitë”, premtoi ai.

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë, priten të realizohen më 14 shkurt.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, të drejtë vote kanë një milion e 794 mijë e 862 qytetarë, shifër kjo që në krahasim me zgjedhjet e kaluara parlamentare është më e vogël, për arsye të pastrimit të listave zgjedhore.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore