Zgjedhjet në Kosovë

Premtimet e AAK-së për 2021-2025


Programi zgjedhor i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës bazohet në katër shtylla, kanë njoftuar nga AAK-ja në shpalosjen e prioriteteve për qeverisjen e ardhshëm.

Këto katër shtylla përfshijnë ekonominë, sigurinë dhe sundimin e ligjit, mirëqenien dhe politikën e jashtme.

AAK premton se do të ofrojë 100 euro për çdo qytetar rezident në Kosovë, e që në total i bie 170 milionë euro, do të subvensinojë paga prej 80% për secilin punëtor të kthyer në punë dhe që ka kontratë së paku një vjeçare, dhe për secilin punëtor që e ka humbur vendin e punës, do të subvencionojë 50% të pagës, por jo më pak se 170 euro.

Në program gjithashtu parashihet subvencionim i shumës prej 150 euro për tre muaj për secilën grua të punësuar me kusht që kontrata të jetë së paku një3 vjeçare dhe paga e plotë të mos jetë nën 270 euro.

AAK në program ka edhe 32 milionë euro subvencionim për fëmijë të regjistruar në kopsht parashkollor publik apo privat me nga 40 euro për secilin fëmijë.

Në anën tjetër, për industrinë e shërbimeve, AAK premton se do të lirojë tërësisht nga tatimi në fitim ndërmarrjet për të hyrat nga eksporti për mallra dhe shërbime.

AAK parasheh subvencionim të qirasë deri në 10 milionë euro në vit deri në vitin 2025 për ndërmarrje që eksportojnë shërbime e që krijojnë vende pune të reja dhe kanë mbi 10 punëtorë të kualifikuar në kohën kur aplikojnë për përkrahje.

“Ne do t’i ndërtojmë dy termocentrale për të siguruar furnizimin bazë me energji elektrike”, thuhet në programin e AAK-së.

“Termocentrali Kosova e Re me kapacitet 300 MË/h do të ndërtohet në infrastrukturën ekzistuese të KEK-ut (Kosova B) në komunën e Obiliqit, ndërsa termocentrali me gaz, me kapacitet 300 MË/h do të ndërtohet në Rrafshin e Dukagjinit”, thuhet më tutje në këtë  program.

Në lidhje me Policinë e Kosovës, AAK premton sigurim shëndetësor, zhvillim dhe profesionalizim të policisë dhe modernizim të pajisjeve të policisë.

“Policisë përveç se do t’ju paguhen të gjitha orët shtesë, rroga më e ulët e policit do të jetë rreth 700 Euro varësisht nga grada që ka”, thuhet ndër të tjerash në programin e AAK-së.

Premtim i AAK-së është gjithashtu edhe “rritja e pagave për gjyqtarët specialë për 400 euro”.

Në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, AAK premton se do të themelojë Task Forcën Kundër Korrupsionit, e cila do të shndërrohet në institucion permanent si Byro e Hetimeve – një kombinim i hetimit, policisë gjyqësore dhe ndjekjes.

Ndërsa për të rinjtë, AAK premton se do të krijojë një “fond për financim të punësimit të parë të të rinjve”.

Ndër të tjerash, AAK në programin e saj thekson se do të sigurojnë pjesëmarrjen e Kosovës në Planin e Veprimit për Anëtarësim (PVA) dhe Procesin e Planifikimit dhe Rishikimit të PpP (PARP) në kuadër të NATO-s, do të sigurojnë pranimin e ftesës për Kosovën për anëtarësim në NATO, gjatë Samitit të NATO-s në vitin 2024, si dhe do të vazhdojë dialogun me Serbinë.

Në asnjë nga premtimet që përfshinë dhënie të shumave të parave, nuk është shpjeguar linja buxhetore, përveç që janë përmendur shifrat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore