Lajme

Predha e lëshuar nga Ukraina shkatërroi objektin e FSB-së, sipas Moskës


Agjencia Franceze e Lajmeve raportoi gjatë mesditës pretendimet e autoriteteve ruse se predha e lëshuar nga Ukraina shkatërroi objektin e përdorur nga FSB-ja.

Moska tha gjatë të hënës se predha kishte shkatërruar një strukturë kufitare të përdorur nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB).

Kjo, mes shqetësimeve perëndimore për një përshkallëzim në luftimet në Ukrainën lindore.

“Më 21 shkurt, në orën 9:50 të mëngjesit (0650 GMT), një predhë e paidentifikuar e gjuajtur nga Ukraina shkatërroi plotësisht një objekt kufitar të përdorur nga shërbimi i rojeve kufitare FSB në rajonin e Rostov-it, rreth 150 metra nga kufiri ruso-ukrainas”, citon AFP-ja një deklaratë të shërbimit të sigurisë.

Në njoftimin zyrtar shtohet se askush nuk është lënduar nga incidenti dhe se inxhinierët ushtarakë rusë kanë mbërritur në vendngjarje.

Videoja e publikuar nga FSB-ja shfaq një ndërtesë të vogël me çatinë dhe muret e saj të zbrazura dhe një flamur rus të mbështetur pas mbeturinave të shpërndara.

Ukraina ka luftuar separatistët që kanë pasur mbështetjen e Moskës që nga viti 2014.

Kohë kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë pas protestave historike në rrugët e Kiev-it.

Më shumë se 14 mijë njerëz kanë vdekur deri më tani në luftime.

Megjithatë, aleatët perëndimorë të Kievit kanë paralajmëruar javët e fundit për një përshkallëzim të mundshëm.

Ata gjithashtu kanë paralajmëruar për sulme të organizuara që Moska dhe separatistët pro-rusë mund t’i përdorin si pretekst për të nisur një sulm ndaj Ukrainës.

Rajoni jugor i Rostov-it, ku FSB-ja tha se ndodhi bombardimi, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme javën e kaluar.

Kjo, për shkak të një fluksi të parashikuar të civilëve nga territoret e kontrolluara prej rebelëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore