Lajme

Pranimi i pasaportës së Kosovës – vendim praktik i Spanjës, por shumë pak gjasa të ndodhë njohja e plotë


Ilustrim

Vendimi i Spanjës për njohjen e vlefshmërisë së pasaportës së Kosovës, duke mundësuar lëvizjen e lirë të kosovarëve pa viza edhe në këtë shtet, ndonëse konsiderohet hap konsruktiv, nuk nënkupton kthesë në politikën e jashtme spanjolle apo lëvizje drejt njohjes së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, konsiderojnë njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Të shtunën e kaluar u konfirmua se Spanja njohu pasaportën e Kosovës, duke lejuar lëvizjen e lirë të kosovarëve, sikurse në vendet tjera të zonës Schengen nga 1 janari 2024. Gjithashtu, katër vendet e tjera të BE-së (Rumania, Qipro, Greqia dhe Sllovakia), ndonëse nuk e njohin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, pranojnë vlefshmërinë e pasaportës kosovare.

Alejandro Esteso Perez, njohës i zhvillimeve politike dhe marrëdhënieve midis Spanjës dhe Ballkanit Perëndimor, nënvizon se vendimi i Spanjës është jashtëzakonisht befasues, duke pasur parasysh se Spanja është një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) që nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Madje më e ashpra në këtë drejtim.

Perez konsideron se vendimi për njohjen e pasaportës kosovare është marrë nga Qeveria e Spanjës për arsye teknike dhe operacionale. Ai nënvizon se autoritetet spanjolle do ta kishin shumë të vështirë menaxhimin e kufirit për shkak se të gjitha shtetet e zonës Schengen kanë pranuar përdorimin e pasaportave biometrike kosovare për udhëtime.

“E gjithë zona e Schengenit do të jetë e hapur për udhëtarët e Kosovës, kështu që si mund të sigurohej Spanja që asnjë posedues i pasaportës së Kosovës të mos hyjë në rrugë tokësore përmes Portugalisë ose Francës ose rrugëve ajrore përmes ndonjë vendi tjetër? Do të kishte qenë e mjaft e madhe barra teknike dhe operacionale – kështu që ishte një vendim praktik”.

Ky vendim i ekzekutivit spanjoll u lexua nga publiku në Kosovë si sinjal se Spanja mund të lëvizë drejt ndryshimit të qëndrimit refuzues për ta njohur vendin e vogël ballkanik. Megjithatë, në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Spanjës (MPJ) pas vendimit, qartësohet se njohja e pasaportës nuk nënkupton njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Perez shprehet skeptik nëse ky vendim do të çojë në ngrohje të marrëdhënieve midis Spanjës ndaj Kosovës. Spanja është zotuar se nëse arrihet një marrëveshje finale për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin BE-së, atëherë do të ndryshojë edhe qëndrimin ndaj Kosovës. Deri tani nuk ka asnjë lëvizje drejt njohjes së Kosovës.

“Njohja e plotë e Kosovës ka shumë pak gjasa të ndodhë, por ndoshta mund të ndërmerren hapa të përkohshëm – edhe nëse kjo përfshinë vetëm vendosjen e kanaleve diplomatike joformale. Megjithatë është herët të thuhet nëse ka ambicie në Spanjë për t’u afruar me Kosovën dhe unë nuk jam shumë optimist”, deklaron ndër të tjera analisti spanjoll.

As profesori i së Drejtës Ndërkombëtare Publike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Madrid, Jose Angel Lopez Jimenez, nuk e sheh vendimin e fundit të ekzekutivit spanjoll sikur njëfarë “njohje të heshtur” ndaj Kosovës, por vetëm një mundësi praktike për kosovarët që ligjërisht ta vizitojnë Spanjën, sikurse vendet e tjera të zonës Schengen.

“Kjo nënkupton njohjen e disa dokumenteve të udhëtimit, asgjë më shumë. Ai i lejon qytetarët të lëvizin me kufizime të caktuara pa pasur nevojë të aplikojnë për vizë dhe nuk nënkupton aspak njohje ndërkombëtare”, shpjegon Jimenez, derisa shton se njohja formale do të ndodhte nëse Spanja nuk do t’i kundërshtonte proceset tjera integruese të Kosovës.

Spanja nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës për shkak të lëvizjeve secesioniste brenda territorit të vet. Logjika është shumë e thjeshtë – nëse Madridi pranon se Prishtina ka të drejtën e pavarësisë kombëtare, atëherë standardi i njejtë duhet të aplikohet edhe në rastin e Katalonjës dhe Baskisë, rajone që prej kohësh synojnë shkëputjen nga Spanja.

Një zyrtar nga radhët e lëvizjes katalanase për pavarësi “Bashkë për Katalonjën (Junts)”, pjesë e ekzekutivit spanjoll nën udhëheqjen e Partisë Socialiste të Punëtorëve (PSOE), deklaroi se janë të lumtur për liberalizimin e vizave për kosovarët dhe të gëzuar që do t’i anulojnë planet për të promovuar çështjen e pasaportave në Parlamentin e Spanjës.

“Mbështetja për pavarësinë e Katalonjës nuk është më aq e lartë dhe shumë ish-mbështetës tani kërkojnë më shumë autonomi brenda Spanjës sesa pavarësi të plotë. Ajo që është e sigurt është se partitë pro-pavarësisë në Katalonjë dhe në Baski po bëjnë presion për njohjen e Kosovës nga Spanja”, vëren Perez, duke komentuar përplasjet në Spanjë për këtë çështje.

Sëkëndejmi, njohja e pasaportës kosovare, përkundër faktit se Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, hapi sërish çështjen e rebusit Kosovë-Spanjë-Katalonjë në politikën spanjolle. Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, aktualisht është duke u akuzuar nga Partia Popullore (PP) – forca kryesore opoziztare – për nxitjen e lëvizjeve seperatiste dhe minimin e shtetit spanjoll.

Frederic Mertens, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Valencia, vlerëson se Spanja do t’i përmbahet parimit të mosnjohjes së Kosovës për shkak të katalanasve dhe baskëve. Ai deklaron se qëndrimi i kamotshëm i Spanjës është i qartë: “Nëse ekziston një konflikt territorial brenda kufijve, s’ka kuptim njohja e pavarësisë së njëanshme të një territori tjetër”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore