Lajme

Portugalia legalizon eutanazinë


Parlamenti i Portugalisë votoi të premten lejimin e eutanazisë. Kështu Portugalia bëhet vendi i shtatë në botë që e lejon këtë praktikë.

Eutanazia i lejon pacientët me sëmundje të pashërueshme të kërkojnë ndihmë nga një mjek për t’i dhënë fund jetës së tyre.

“Me këtë votim, parlamenti shtoi dinjitetin në demokracinë tonë”, tha ligjvënësi, Hoze Manuel Pureza.

Ai e quajti këtë akt si një “përgjigje demokratike ndaj fundamentalizmit dhe frikës”.

Ligji e lejon praktikën në raste të caktuara dhe nën rregulla të rrepta.

Personat mbi 18 vjeç do të lejohen vetëm nëse janë të sëmurë kronikë dhe vuajnë nga dhimbje “të qëndrueshme” dhe “të padurueshme”.  Nëse ata vlerësohen se nuk janë të aftë mendërisht për të marrë një vendim të tillë, atëherë nuk do të lejohen.

Procesi do të jetë i hapur vetëm për shtetasit portugez dhe banorët e ligjshëm. Në këtë mënyrë do të parandalohet udhëtimi në Portugali vetëm që njerëzit t’i japin fund jetës së tyre.

Ligji do të jetë në duart e presidentit, Marcelo Rebelo de Sousa, nga java e ardhshme. Ai është personi që jep miratimin.

Portugalia, një vend me shumicë katolike, e cila kaloi një pjesë të madhe të shekullit të XX-të të sunduar nga një regjim fashist, ka bërë hapa në reformat liberale duke mbështetur të drejtat e njeriut. Vendi legalizoi abortet në 2007-ën dhe lejoi martesat e të njëjtit seks në 2010-ën.

Vetëm katër vende e aprovojnë vdekjen e asistuar si një e tërë: Belgjika, Hollanda, Luksemburgu dhe së fundmi Gjermania. Dy të parat madje pranojnë kërkesa nga të miturit në rrethana të rrepta. Zvicra lejon vdekjen e asistuar nga mjeku sipas skenarëve specifikë por e ka bërë të ligjshme eutanazinë pasive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore