Shqipëria

Porti i Durrësit do ju kthehet durrsakëve dhe gjithë Shqipërisë


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar takim me përfaqësues të Agjencive Turistike në Durrës për të shpjeguar programin për turizmin. Mes të tjerash Basha foli edhe për portin e Durrësit.

Kryedemokrati u shpreh se për portin e Durrësit është folur shumë dhe gjithashtu ka pasur një sërë aferash të cilat kanë zhvendosur përfitimet financiare që vijnë nga porti në duart e klaneve brenda qeverisjes të lidhura me krimin e organizuar.

“Porti i Durrësit do ti kthehet Durrësit, Shqipërisë. Jo i krimit organizuar. 0 tolerancë për krimin e organizuar. Ne kemi përzënë investitorë të huaj nga porti i Durrësit, por them ne, në fakt i ka përzënë ky”.

Basha tha se do të bëjnë gjithçka për të thithur investimet e huaja perëndimore.

“Ka funksione që duhen planizuar në përputhje me transparencën. Parimet se si do veprohet do jenë transparenca dhe padiskutim, ne do bëjmë gjithçka të thithim investime të huaja në funksion të një plani dhe të një vizioni afatgjatë për Durrësin.

Përsa i përket rindërtimit, Basha tha se Durrësi do jetë prioritet absolut, financiarisht me mbështetje direkte për familjet e dëmtuara, për strehimin, natyrisht dhe për biznesin edhe për faktin se është pika e gravitetit të turizmit dhe jo vetëm.

Ai theksoi se turizmi do të ketë një rritje prej 15% çdo vit dhe një rritje prej të paktën 2% nga 8 në 10 e sektorit të turizmit në vetvete ku natyrisht nuk përfshihet sektori i agjencive të udhëtimeve.

“Shpallja e objektivave është hapi i parë, por asnjë objektiv nuk qëndron aty si një premtim, është një angazhim dhe është një rezultat i proceseve dhe reformave që ne kemi propozuar. Disa prej tyre janë reforma që prekin të gjithë ekonominë”.

Kreu i PD-së tha se ai do të ketë një bashkëpunim shumë të mirë me kryebashkiakët, pavarësisht se kujt partie i përkasin.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore