Shqipëria

Politika shqiptare dhe mesazhet për Kurban Bajramin


Me rastin e Kurban Bajramit, e cila ndryshe njihet si “Festa e Flijimit”, politika shqiptare dhe krerët qeveritarë kanë uruar të gjithë besimtarët myslimanë.

Të martën e 20 korrikut, me qindra besimtarë falën namazin e Kurban Bajramit në sheshin “Skënderbej”.

Kurban Bajrami është një nga momentet më të rëndësishme për besimtarët myslimanë në të gjithë botën.

Festimeve të besimtarëve u janë bashkuar dhe urimet e figurave të ndryshme politike në Shqipëri apo krerëve qeveritarë.

Presidenti 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, uroi nëpërmjet një mesazhi një nga festat më të shënuara të Islamit.

Ai uroi më të mirat për të gjithë besimtarët dhe qytetarët shqiptarë kudo ndodhen, me rastin e kësaj feste të shenjtë dhe vëllazërore, që na fton – sipas tij – në sakrifica për forcimin e solidaritetit mbarëkombëtar dhe kapërcimin e çdo pengese, që frenon ndërtimin e një Shqipërie plotësisht evropiane!

“Sa më shumë mirësi, mirëkuptim, paqe, begati dhe dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit!”, shkruan më tej presidenti Meta.

Sipas Metës, nuk duhet të ndalen përpjekjet për të shëruar plagët e thella të shoqërisë, varfërinë, korrupsionin, padrejtësitë, arrogancën dhe arbitraritetin dhe “të kujdesemi e të mendojmë më shumë për të mirën e përbashkët, jetimët, të moshuarit, të vetmuarit, të sëmurët dhe për këdo në nevojë”.

Presidenti citoi një frazë nga Kurani ku thuhet se “tek Zoti nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre (kurbanëve) por devotshmëria dhe përkushtimi Juaj”.

Në përmbyllje, Meta iu drejtua besimtarëve me urimin që Zoti t’ua pranojë adhurimin dhe lutjet.

Kryeministri 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zgjodhi një video-mesazh me pamjet nga xhamia e restauruar e Et’hem Beut.

Ai uroi “Gëzuar Bajramin”, të gjithë besimtarëve myslimanë.

Kujtojmë që restaurimi i xhamisë zgjati dy vjet dhe u përurua më 13 prill 2021.

Xhamia ikonike e Et’hem Beut në zemër të Tiranës konsiderohet si një xhevahiret e trashëgimisë sonë kulturore.

Në këtë xhami u përdorën teknikat e fundit të restaurimit, e cila tashmë ka në muret e saj dhe kubenë të gjitha afresket origjinale nga koha e ndërtimit.

Kryetari i Kuvendit

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka uruar Ditën e Kurban Bajramit si një ditë të rritjes shpirtërore, faljes dhe bashkimit. Sipas tij, kjo është një ditë meditimi.

Ai shtoi se reflektimet e çdo besimtari le të bashkohen e të shkrihen në reflektimet e shoqërisë dhe të klasës politike, dhe t’i shtyjnë të gjithë të punojnë më shumë për një Shqipëri më të mirë.

“Shqipëria u është mirënjohëse komunitetit mysliman dhe të gjithë besimtarëve, sepse myslimanët shqiptarë janë ndër komunitetet më progresive të 1.5 miliardë besimtarëve myslimanë të planetit”, nënvizoi Ruçi.

Myslimanët shqiptarë janë një komunitet fetar, human, tolerant dhe progresiv, të dedikuar për bashkëjetesën, paqen dhe drejtësinë sociale, të angazhuar në luftën ndaj varfërisë, pabarazisë dhe vështirësive të jetës.

Traditat myslimane janë një vlerë e shtuar e kulturës, qytetërimit dhe humanizmit të shqiptarëve.

Besimtarët myslimanë kanë ndarë me të gjithë besimtarët dhe qytetarët shqiptarë sakrificat, përgjegjësitë dhe kontributet për avancimin e Shqipërisë, rritjen e mirëqenies, lartësimin e vlerave të shqiptarëve, për paqen, drejtësinë, barazinë dhe dinjitetin e të gjithë qytetarëve.

Mirënjohje të thellë për mbështetjen, që komuniteti dhe besimtarët myslimanë u dhanë besimtarëve dhe të gjithë qytetarëve për t’i mbijetuar pandemisë.

Në përmbyllje ai shkruan se dita e sotme është dita të gëzojmë të gjithë dhe “gëzime paçi ngaherë në familjet tuaja”.

Kryetari i Partisë Demokratike

Kryedemokrati Lulzim Basha u është drejtuar të gjithë besimtarëve myslimanë në këtë ditë të shënuar, duke i uruar “për shumë vjet festën e Kurban Bajramit”.

Ai shkruan se sakrificat dhe lutjet e tyre qofshin të pranuara dhe në familje mbizotëroftë gëzimi, paqja dhe shpresa për një Shqipëri të drejtë e të begatë për të gjithë shqiptarët.

“Tradita juaj e ndarjes së të mirave me të afërmit dhe fqinjët në nevojë është shenjë e madhe e përgjegjësisë që ju ndjeni ndaj vendit”, nënvizoi Basha në urimin e tij.

Ai e përmbylli mesazhin me urimin, “Zoti ju bekoftë juve dhe familjeve tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”.

Ministritë

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, u është bashkuar festimeve të Kurban Bajramit me urimin e saj.

“Gëzuar Kurban Bajramin! Ju uroj shëndet dhe begati në familjet tuaja”, shkruhet në statusin e Denajt.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, uroi besimtarët myslimanë në rrjetet sociale.

“Gëzuar Kurban Bajramin të gjithë besimtarëve myslimanë. Sjelltë kjo ditë e bekuar shëndet e begati në familjet tuajat”, lexohet në urimin e Manastirliut.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, iu bashkëngjit urimeve me mesazhin e saj.

“Gëzuar Kurban Bajramin, festën e mëshirës, faljes, sakrificës, sinqeritetit, përkushtimit ndaj Zotit. Paçim më shumë shëndet dhe lumturi, miqësi, paqe dhe begati!”, shkruhet në statusin e saj në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore