Lajme

Policia: S’ka të arrestuar në rastin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla


Gazetari Valon Syla u sulmua fizikisht nga tre persona të panjohur për të, deri sa po shkonte nga një studio televizive në shtëpi, një natë më parë.

Të panjohur, sulmuesit janë edhe për organet e rendit.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës thuhet se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit. Rasti është në procedurë hetimore nga njësitë relevante policore”, njofton policia.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur një natë më parë rreth orës 22:23 në rrugën “Ilir Dumoshi” në Prishtinë.

“Viktima mashkull kosovar me profesion gazetar, ka raportuar se tre të dyshuar deri më tani të pa njohur e kanë sulmuar fizikisht me ç ‘rast i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore”.

Pas sulmit gazetari dhe analisti politik, Valon Syla, ka pranuar tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe është liruar në shtëpi.

Ashtu si sulmuesit, nuk dihen as motivet e këtij sulmi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se për këtë rast tashmë ka nisur hetimet në mënyrë intenzive.

“Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim të plotë me Policinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes”.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar “Lëndim i lehtë trupor”, sipas KPRK-së dhe në vazhdimësi janë duke u zhvilluar hetime në mënyrë intensive, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti, si dhe identifikimit e sigurimit të prezencës së të dyshuarve në procedurën penale”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pas këtij rasti.

“AGK-ja e dënon ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj Valon Sylës – kërkon hetime urgjente”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, nga AGK-ja potencojnë se “gazetari njëherësh drejtuesi i Gazeta Metro, është sulmuar fizikisht, të hënën në mbrëmje nga tre persona, të cilët dyshohet se e kanë përcjellë atë nga studio e T7, ku ishte i ftuar në debat, deri në lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë”.

Para sulmit, ai ishte ishte pjesë e një debati në Televizionin 7 në lidhje me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, është sulmuar pak minuta pasi që ka dalë nga studioja.

Tre persona e kanë përcjell atë deri te Bregu i Diellit, ndërsa sulmi ndaj tij ka ndodhur para lokalit të quajtur “Image”.

Ndryshe, pas sulmit të gazetarit, Valon Syla, ka pasur reagime nga shumë personalitete publike, të cilët e kanë dënuar këtë akt të tmerrshëm.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka konsideruar si shkelje të lirisë së shtypit dhe të drejtave të njeriut sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla.

“Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla është një shkelje e rëndë e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të njeriut, dhe nuk mund të tolerohet kurrsesi në një shoqëri demokratike”, shkroi Konjufca në Facebook.

Ndërkaq, kreu i Kuvendit nënvizoi se gazetarët e kanë të drejtën e garantuar “në Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë për të kryer detyrën e tyre profesionale pa frikë dhe pa ndonjë censure apo presion të jashtëm”.

“Sulmi ndaj tyre është një krim i cili nuk përkon as me kulturën dhe as me traditën tonë shqiptare”.

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili e konsideroi si akt qyqar dhe tha se “kërkoj nga autoritetet përkatëse që të ndjekin ligjin dhe të arrestojnë autorët e këtij sulmi”.

“Sulmi i raportuar ndaj gazetarit Valon Syla është një shembull i tmerrshëm i mungesës së respektit dhe tolerancës ndaj lirisë së shtypit dhe të shprehjes në shoqërinë tonë. Nëse nuk respektojmë dhe nuk mbrojmë lirinë e shtypit, nuk mund të kemi një shoqëri të lirë dhe të drejtë”, tha ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook është shprehur se e “dënoj fuqishëm sulmin ndaj gazetarit Valon Syla dhe bëj thirrje që sulmuesit të arrestohen dhe të dalin sa më parë para drejtësisë”.

“Çdo sulm ndaj gazetarëve, fjalës dhe medias së lirë – është sulm ndaj vet shtetit të Kosovës”.

Ndërkaq, kreu i PDK-së tha se “demokracia dhe pluralizmi i mendimeve, tolerimi i tjetrit edhe kur nuk pajtohemi, janë vlerat më të mëdha të shoqërisë dhe vendit tonë, prandaj, askush dhe asgjë nuk ka të drejtë t’i cenojë ato”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore