Lajme

Konjufca dënon sulmin ndaj gazetarit Valon Syla: Shkelje e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të njeriut


Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka konsideruar si shkelje të lirisë së shtypit dhe të drejtave të njeriut sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla.

“Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla është një shkelje e rëndë e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të njeriut, dhe nuk mund të tolerohet kurrsesi në një shoqëri demokratike”, shkroi Konjufca në Facebook.

Ndërkaq, kreu i Kuvendit nënvizoi se gazetarët e kanë të drejtën e garantuar “në Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë për të kryer detyrën e tyre profesionale pa frikë dhe pa ndonjë censure apo presion të jashtëm”.

“Sulmi ndaj tyre është një krim i cili nuk përkon as me kulturën dhe as me traditën tonë shqiptare”.

Konjufca kërkoi nga organet kompetente që të ndërmarrin hapat e nevojshëm “për t’i sjellë autorët e sulmit para drejtësisë”.

“Solidarizohemi me Valonin dhe i dëshirojmë shërim sa më të shpejtë”, përfundoi ai.

Ndryshe, gazetari dhe analisti politik, Valon Syla, në mbrëmjen e së martës është sulmuar nga disa persona.

Sulmin e ka konfirmuar edhe vetë Syla.

Ndërsa, raportohet se Syla ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po trajtohet për lëndimet e marra pas sulmit.

Ai ishte ishte pjesë e një debati në Televizionin 7 në lidhje me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, është sulmuar pak minuta pasi që ka dalë nga studioja.

Tre persona e kanë përcjell atë deri te Bregu i Diellit, ndërsa sulmi ndaj tij ka ndodhur para lokalit të quajtur “Image”.

Pas sulmit të gazetarit, Valon Syla, ka pasur reagime nga shumë personalitete publike, të cilët e kanë dënuar këtë akt të tmerrshëm.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.

“AGK-ja e dënon ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj Valon Sylës – kërkon hetime urgjente”, thuhet në reagimin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore