Lajme

Krasniqi dënon sulmin ndaj gazetarit Valon Syla: Sulmet ndaj fjalës së lirë – janë sulme ndaj shtetit


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas sulmit fizik ndaj gazetarit, Valon Syla.

Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social Facebook është shprehur se e “dënoj fuqishëm sulmin ndaj gazetarit Valon Syla dhe bëj thirrje që sulmuesit të arrestohen dhe të dalin sa më parë para drejtësisë”.

“Çdo sulm ndaj gazetarëve, fjalës dhe medias së lirë – është sulm ndaj vet shtetit të Kosovës”.

Ndërkaq, kreu i PDK-së tha se “demokracia dhe pluralizmi i mendimeve, tolerimi i tjetrit edhe kur nuk pajtohemi, janë vlerat më të mëdha të shoqërisë dhe vendit tonë, prandaj, askush dhe asgjë nuk ka të drejtë t’i cenojë ato”.

Ndryshe, gazetari dhe analisti politik, Valon Syla, në mbrëmjen e së martës është sulmuar nga disa persona.

Sulmin e ka konfirmuar edhe vetë Syla.

Ndërsa, raportohet se Syla ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po trajtohet për lëndimet e marra pas sulmit.

Ai ishte ishte pjesë e një debati në Televizionin 7 në lidhje me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, është sulmuar pak minuta pasi që ka dalë nga studioja.

Tre persona e kanë përcjell atë deri te Bregu i Diellit, ndërsa sulmi ndaj tij ka ndodhur para lokalit të quajtur “Image”.

Pas sulmit të gazetarit, Valon Syla, ka pasur reagime nga shumë personalitete publike, të cilët e kanë dënuar këtë akt të tmerrshëm.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.

“AGK-ja e dënon ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj Valon Sylës – kërkon hetime urgjente”, thuhet në reagimin e tyre.

Ishte edhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, që reagoi duke e konsideruar si akt qyqar dhe tha se “kërkoj nga autoritetet përkatëse që të ndjekin ligjin dhe të arrestojnë autorët e këtij sulmi”.

“Sulmi i raportuar ndaj gazetarit Valon Syla është një shembull i tmerrshëm i mungesës së respektit dhe tolerancës ndaj lirisë së shtypit dhe të shprehjes në shoqërinë tonë. Nëse nuk respektojmë dhe nuk mbrojmë lirinë e shtypit, nuk mund të kemi një shoqëri të lirë dhe të drejtë”, tha ai.

Po ashtu, për rastin ka reaguar edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Çitaku deklaruar se kushdo që sulmon tjetrin për fjalën e shprehur e mendimin e thënë është i mjerë.

“Valon Syla ka të drejtë të pakontestueshme me e thanë mendimin. Me ngritë pyetje. Me ngritë dilema. Valoni ka të drejtë me thanë ama bash çka të dojë e besojë. Kushdo që sulmon tjetrin për fjalën e shprehur e mendimin e thënë është i mjerë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore