Lajme

Policia për mbetjet mortore në Prishtinë: Individi figuron në listën kombëtare të personave të zhdukur me forcë


Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, për mbetjet mortore të cilat janë gjetur të enjten ka thënë se i takojnë periudhës së luftës së fundit, duke bërë të ditur se personi është në Listën Kombëtare të Personave të Zhdukur me Forcë.

Përmes raportit 24 orësh të Policisë, është thënë se menjëherë pas informimit në vendin e ngjarjes kanë dalur Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.

“Më datë 05.10.2023 Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, përkatësisht Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur gjatë luftës në Kosovë, në bazë të informacioneve ka identifikuar një dëshmitar, i cili ka njohuri për mbetje eshtërore të një trupi të njeriut, i cili figuron në Listën Kombëtare të Personave të Zhdukur me Forcë gjatë periudhës së luftës së vitit 1998/1999”.

Gjetjet mortore në Prishtinë, të enjten.

“Së bashku me dëshmitarin, në vendin e ngjarjes kenë dalë edhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore. Është identifikuar lokacioni dhe pas gërmimit/ekshumimit, janë hasë gjetje eshtërore me interes forenzik që besohet se janë të trupit të njeriut dhe i përkasin periudhës së luftës së fundit”, thuhet në raportin e Policisë.

Më 5 tetor, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, në bashkëpunim me Policinë, kanë lokalizuar mbetjet mortore të një individi në lagjen Matiçan në Prishtinë, të cilat dyshohet se i takojnë kohës së luftës.

Sipas saj, gjatë tërë ditës kanë vazhduar gërmimet në Bishtazhin të Gjakovës ku ekipet nga Institutit e Mjekësisë Ligjore kanë gjetur mbetje mortore të cilat dyshohet se i përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

Të shoqëruar nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), ekipet kishin hasur në eshtra njerëzore të cilat, pas kryerjes së analizave të ADN-së, komisioni do të njoftojë për rezultatet.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e të vrarëve gjatë luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore