Lajme

Policia nis hetimet për personin që dyshohet se kanosi Rrahman Jasharaj


Policia e Kosovës.

Lidhur me rastin e përleshjes në tubimin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në shkollën fillore “Ismail Qemali” ku njëri nga personat ka tentuar ta sulmojë kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, Policia e Kosovës ka nisur hetimet.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci.

“Ndërlidhur me rastin pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave që kanë karakterizuar ngjarjen përfshirë këtu edhe intervistimin e dëshmitarëve okular, me rekomandimin e prokurorit të shtetit policia ka iniciuar një hetim ndaj një të dyshuari nën dyshimet për veprën penale “Kanosje”.

Albanaian Post, gjatë ditës ka raportuar për përleshjen që ka ndodhur në tubimin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në shkollën fillore “Ismail Qemali” ku njëri nga prindërit ka tentuar ta sulmojë kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj derisa ishte duke lëshuar klasën.

“Oh armik, oh armik” i është drejtuar i moshuari Jasharajt teksa ishte deklaruar si mësues.

Jasharaj bashkë me disa sindikalistë kanë qëndruar për disa orë në shkollën fillore “Ismail Qemaili”, teksa greva në shkollat e Kosovës është duke vazhduar që nga 25 gushti.

1 shtatori dhe 2 shtatori, nxënësit i ka gjetur në shtëpi ndërsa mësimdhënësit në grevë.

Sindikata e Arsimit dhe sektorët tjerë publikë janë duke kërkuar 100 euro shtesë në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove. Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore