Lajme

Policia kap pesë emigrantë ilegal në një kamion të mallrave


Foto nga Dogana.

Oficerët e doganës, kanë bërë të ditur se të premten janë gjetur pesë emigrant ilegal në një kamion të mallrave.

Lajmin e ka bërë të ditur Dogana e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Emigrantët janë ndaluar dhe pastaj në koordinim me autoritetet kompetente janë dorëzuar tek Policia e Kosovës. Vlen të theksohet se kamioni përmbante dërgesë e cila vinte nga Turqia”, thuhet në komunikatë.

Dogana ka bërë të ditur se personat janë të gjithë refugjatë nga Siria.

Nga Dogana është thënë se do të vazhdohet të bashkëpunohet me autoritetet kompetente si dhe do të vazhdohet të ushtrohet kontrolla në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Nga qytetarët Dogana ka kërkuar që të njoftohen për secili rast të sjelljes jo etike të zyrtarëve doganor në numrin e telefonit 080050095 ose përmes aplikacionit tonë (e-dogana).

Një rast i ngjashëm ishte edhe më 26 qershor të 2022.

Policia e Kosovës kishte ndaluar një veturë me targa shqiptare në Prizren dhe brenda saj janë gjetur shtatë migrantë që ishin futur ilegalisht në Kosovë.

“Një person i dyshuar, shtetas kosovar, është ndaluar dhe për këtë rast është njoftuar edhe Policia Kufitare në Vërmicë”, kishte njoftuar Policia e Kosovës.

Ndërsa lidhur me këtë ishin njoftuar të gjitha njësitet e nevojshme policore dhe është kontaktuar prokurori kujdestar dhe është marrë rekomandimi që rasti të adresohet në kompetencë të Njësitit të Migrimit për trajtim të mëtejmë të rastit sipas ligjeve në fuqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore