Shqipëria

Policia futet – Mbështetësit e Berishës dalin – Mbyllet protesta në PD


Policia e shtetit ka ndërhyrë në protestën e Sali Berishës në oborrin e Partisë Demokratike, pas thirrjes së bërë nga strukturat e demokratëve, ku pretendohet se jeta e tyre po cenohet.

Me ndërhyrjen e forcave blu, protesta blu pranë godinës blu, shpërndahet dhe merr fund.

Mbështetësit e Berishës janë larguar menjëherë pas hedhjes së gazit lotsjellës në gjithë oborrin e PD-së. Ujë me presion është përdorur po ashtu nga Policia dhe oborri demokrat është tërësisht i zbrazët.

Në ndërhyrje janë edhe njësitë e forcave RENEA. Nga burimet për Albanian Post, mësohet se ata kanë marrë nën kontroll katin e parë të godinës.

Protestuesit sakaq – disa prej tyre në gjendje më të rënduar – janë shtrirë përgjatë trotuarave në lumin e Lanës, për të marrë frymë më lirisht pas thithjes së gazit.

Po ashtu, ka nisur edhe shoqërimi i disa prej protestuesve të Berishës, të cilët mendohet se kanë kryer akte vandale ndaj godinës.

Fillimisht, Policia e Shtetit theksoi se nuk do të ndërhynte në protestë. Por, më pas, ka qenë një kërkesë nga deputetët e saj, të cilët gjenden brenda selisë, se jeta e tyre po rrezikohej.

Goditje me gurë janë parë e filmuar, si edhe hedhje të gazit lotsjellës nga ambientet e brendshme.

Situata ka qenë shqetësuese aty, ku sipas burimeve të Albanian Post, mësohet se ka pasur edhe gra shtatzëna, gjendja shëndetësore e të cilave është cenuar nga hedhja e lëndës lotsjellëse.

Po ashtu, frikë kanë hasur edhe deputetët, të cilët kanë qenë në mbledhje brenda selisë, në katet e sipërme.

Me mësymjen e mundshme nga jashtë, një përballje fizike mund të ishte e paevitueshme.

Ndërsa, me marrjen nën kontroll të situatës nga policia, ata kanë kërkuar të largohen nga godina.

Kontrolle sakaq, ka pasur edhe në rrugë të tjera të afërta, ku efektivët janë vendosur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore